Presidentja për raportin me Kurtin: Rrugët mund t’i kemi ndryshe, por qëllimin e kemi njësoj

Prishtinë | 31 Dhj 2025 | 20:05 | Nga Ekonomia Online

Dallimet dhe krisjet e raporteve mes saj dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, e para e vendit i cilëson normale.

E ftuar në emisionin Kiks Kosova, Osmani tha se raportin që ka ajo me kryeministrin në detyrë pasqyron sinqeritet dhe besim të ndërsjellë.

Pavarësisht dallimeve në mendime e qëndrime, Vjosa Osmani thotë se me Kurtin kanë pasur gjithnjë qëllimin e vetëm që të punojnë në të mirë të vendit.

“Çka është me rëndësi është që nuk kemi dalluar kurrë me qëllimin tonë në raport me vendin. Qëllimi gjithmonë ka qenë ta kemi një Republikë të fortë, një republikë sovrane në çdo milimetër të territorit tonë dhe këtë e kemi arritur me shumë mund, me shumë sakrificë, me shumë angazhim, nuk ka qenë fare e lehtë. Jo domosdoshmërisht, në momentin e parë dakordohemi për strategjinë që duhet ndjekur apo për metodat që duhet ndjekur, por asnjëherë dallim nuk kemi se ku do të shkojmë, se cili është qëllimi që duam ta arrijmë qoftë me aleatët tanë, qoftë me sovranitetit në vend”, tha ajo.

E për ta përmbushur këtë qëllim, ajo thotë se shpeshherë është dashur që të heqin dorë nga qëndrimet e tyre dhe të vazhdojnë rrugën ose idenë e njëri-tjetrit.

“Shpeshherë heq dorë njëri, shpeshherë heq dorë tjetri, kjo është realiteti i bashkëpunimit në çdo raport, qoftë ai raport politik, qoftë ai raport familjar, çdoherë vijmë një një konkluzion ku dikush duhet pak të heqë dorë, dikush të pajtohet më shumë, herë më ndodh mua, herë i ndodhë dikujt tjetër, e rëndësishmja është që qëllimin e kemi pasë të mirë, asnjëherë nuk ka qenë qëllimi që të dëmtohet Republika e Kosovës, e aq më pak të dëmtohen relacionet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, pohoi presidentja.

Të ngjashme