Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, së bashku me të ngarkuarin me punë në Ambasadën e ShBA-së në Kosovë, Nicholas Giacobbe, ka vizituar refugjatët afganë, të cilët po qëndrojnë në kampin Liya.
“E rrethuar nga fëmijët afganë që vazhdonin lojën e harenë, edhe pse në tokë të huaj, sot kuptuam edhe njëherë rëndësinë e ngrohtësisë e nivelit të dashamirësisë që duhet ta karakterizojnë një vend që i hap dyert për ata që janë në nevojë”, ka shkruar Osmani-Sadriu.
Tutje ajo ka thënë se “dikur ishin vendet e tjera për ne, e sot jemi ne në gjendje të bëhemi shtëpi e përkohshme e atyre që u detyruan të lënë pas shtëpitë e tyre. Kosova dhe populli i Kosovës do të jenë gjithnjë aty për të ofruar siguri dhe strehë. Ndihemi të nderuar që jemi në gjendje të qëndrojmë pranë aleatëve tanë”.
Kosova ka strehuar përkohësisht rreth 2 mijë afganë, deri sa t’u plotësohen dokumentacionet për zhvendosje të përhershme të tyre në Shtetet e Bashkuara.
Strehimin e afganëve, Kosova e ka bërë na bashkëpunim me ShBA-në dhe shtetet aleate.