Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në vazhdën e takimeve bilaterale gjatë qëndrimit në Japoni, është pritur në takim nga kryeministri japonez Yoshihide Suga.
Ajo ka falënderuar kryeministrin Suga për mbështetjen ndaj Kosovës dhe ka potencuar se Japonia është partner strategjik. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani, gjithashtu e ka falënderuar kryeministrin Suga për mbështetjen që ky shtet i ka dhënë Kosovës në fushën e shëndetësisë dhe mjedisit, teksa ka shfaqur gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit në sfera të tjera të interesit të përbashkët, sidomos për investime japoneze në Kosovë.
Presidentja Osmani ka kërkuar mbështetjen e Japonisë në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, posaçërisht në procesin e njohjeve dhe anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare.
Është biseduar edhe për mundësitë e shkëmbimit të studentëve në programe të ndryshme arsimore.
Presidentja osmani i ka bërë ftesë zyrtare kryeministrit Suga që në një kohë të përshtatshme ta vizitojë Kosovën për ta forcuar edhe më tej partneritetin me shtetin japonez.