Presion i madh mbi Indinë për pjesëmarrjen e boksieres, Donjeta Sadiku, në botërorin që nis nesër

Prishtinë | 14 Nën 2018 | 15:22 | Nga Ekonomia Online

Kampionati botëror i boksit nis nesër (e enjte) në New Delhi të Indisë, ndërsa pjesëmarrja e ekipit të Kosovës vazhdon të bëhet lajm botëror.

Qeveria e Indisë nuk është duke i dhënë vizën hyrëse boksieres Donjeta Sadiku dhe ekipit të saj, me arsyetimin se India nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe se nuk mund të lejojnë flamurin tonë në botërorin e Indisë, pavarësisht se ekipi i boksit është pajisur me pasaportën e Shqipërisë.

Në zgjidhjen e problemit që ka marrë përmasa globale, janë përfshirë edhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK), Komiteti Olimpik i Indisë (KOI) dhe Federata e Boksit e Indisë (FBI), si organizatore e botërorit.

“Nuk është vetëm çështje e boksit, është problem global”, ka thënë Ajan Singh, president i FBI-së në konferencën për shtyp.

Komiteti Olimpik i Indisë përmes një letre të ashpër të dërguar sot, ka kërkuar nga Ministria e Sportit e këtij vendi t’ia japin vizën ekipit të Kosovës.

“Është e nevojshme që menjëherë të merren veprimet nga autoritetet indiane për t’u siguruar sportistëve dhe delegacionit nga Kosova pjesëmarrjen në Kampionatin Botëror të Boksit dhe të trajtohen në kushte të njëjta si çdo pjesëmarrës tjetër, pa asnjë diskriminim, në përputhje me vlerat dhe qeverisjen e Lëvizjes Olimpike në mbarë botën”, thuhet ndër të tjera në letrën e presidentit të KOI-të, Narinder Batra, shkruan “Sportskeeda.com”.

I pari i KO të Indisë, ka paralajmëruar qeverinë e këtij vendi se dështimi për t’u siguruar hyrjen ekipit të Kosovës do të raportohet në të gjitha organizatat sportive ndërkombëtare të interesuara për të organizuar ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare në Indi.

Në presion qeveria indiane është vënë edhe nga mediat e ndryshme botërore.

Donjeta Sadiku prej një viti është duke u përgatitur për këtë botëror, që është gara më e rëndësishme dhe që vlen për pikë kualifikuese për Lojërat Olimpike Tokyo 2020.

Për të njëjtën arsye, dhe po nga shteti i Indisë, asaj nuk iu dha vizën për botërorin e juniorëve të mbajtur në dhjetor të vitit të kaluar.

“Jam duke stërvitur vazhdimisht dhe ende nuk e kam humbur shpresën. Nëse nuk më japin vizën do të jem thellësisht e dëshpëruar, pasi është hera e dytë që më ndodh i njëjti problem”, thekson Donjeta për ueb-faqen zyrtare të KOK-ut, “noc-kosovo.org”.

“Jam përgatitur mirë dhe nëse marrë pjesë besoj shumë në medalje. Kjo garë do të më ndihmonte për Lojërat Olimpike Tokyo 2020. Të humben dy kampionate të tilla është dëshpërim i madh”, shtoi ajo.

Sadiku bashkë me trajnerin e saj, Besim Brahimi dhe gjyqtarin ndërkombëtar, Latif Demolli, është dashur të nisen sot drejt New Delhit. Pikërisht sot po mbahet edhe ceremonia hapëse.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme