Komuna e Prishtinës ditë më parë ka paralajmëruar se kiosqet në Prishtinë do të marrin pamje të re. Sipas njoftimit do të jenë në tri madhësi të ndryshme dhe të vendosura në 36 lokacione të ndryshme të Kryeqytetit.
Shpallja është e hapur deri më 16 korrik. Mirëpo duket se ka pasur ankesa lidhur me këtë njoftim duke u cilësuar kriteret e larta nga komuna për kiosqe.
Andaj kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës (AKK), Valon Prestreshi, ka reaguar lidhur me këtë.
Prestreshi ka thënë se pas marrjes së informacionit se Komuna e Prishtinës ka vendosur specifikacione anti-konkurruese për kioskat e kryeqytetit, AKK-ja do të marrë masa.
“Të dashur qytetarë, sapo u informova nga departamenti i hetimeve ne kuadër të AKK-së së është pranuar një ankesë nga disa persona kundër Komunës së Prishtinës, me pretendime që komuna paska vendosur specifikacione anti-konkurruese për kioskat e kryeqytetit. Kam caktuar grupin punues për këtë rast dhe sipas dispozitave të ligjit për mbrojtjen e konkurrencës, AKK do të veprojë”, ka shkruar në Facebook ai.