Asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë dorëzuar të mërkurën në Drejtorinë Hetimore në Prishtinë materiale që, sipas tyre janë pranuar nga një sinjalizues anonim dhe lidhen me çështjen e legalizimeve të dyshuara të paligjshme në Komunën e Prishtinës, raporton Ekonomia Online.
Ata kanë thënë se emaili përpos çështjes së legalizimeve përmban edhe një varg pretendimesh të tjera të cilat – sipas sinjalizuesit gjithmonë – kanë ndodhur në Komunën e Prishtinës e që kanë të bëjnë me shkelje të ndryshme ligjore, duke filluar nga transferet e shumave të mëdha që kanë ndodhur nga Kosova në Britani.
I pyetur për pretendimet nga sinjalizuesit se dërgoi para nga një llogari bankare në Kosovë tek një llogari bankare në Mbretërinë e Bashkuar, Rama tha se janë legjitime.
“Unë kam banka edhe këtu, edhe atje. Domethënë transferet bankare janë totalisht legjitime edhe nuk ka asnjë problem, domethënë nuk ka asnjë vërtetësi. Pra pastaj edhe s’kemi çka me diskutuar më vonë, domethënë janë prej kontos sime në konton time”, tha ai.
Ndërsa sa i përket kontaktit me institucionet e drejtësisë, Rama tha se nuk ka pasur asnjë kontakt dhe nuk është në dijeni se a është kontaktuar ndonjë zyrtar.
“Jo, jo, nuk kam asnjë kontakt. Nuk di deri sot, jo. Po janë të mirëseardhur gjithmonë”, tha ai.