U prezantua të mërkurën aneksi i metodologjisë së punës së Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës (IKKL), i cili do të shërbejë për dokumentimin dhe hulumtimin e krimeve ekonomike të kryera gjatë luftës në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
Në këtë ngjarje, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe drejtori ekzekutiv i IKKL-së, Atdhe Hetemi, e kanë cilësuar këtë hap si një arritje të rëndësishme për drejtësi dhe kujtesën kolektive.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se ky proces është i domosdoshëm për viktimat dhe për të ardhmen e shoqërisë kosovare.
“Ky proces, është obligim moral ndaj viktimave dhe obligim kombëtar. Na shërben për ballafaqim për të kaluarën, dhe një të ardhme më të drejtë e më të qëndrueshme për shoqërinë tonë. Rezultate flasin vetë, mbi 345 metra linearë material fizik dhe 23.6 terabajt materiale digjitale tashmë ruhen në arkiva e institutit një arritje kjo e jashtëzakonshme. Po ashtu është arritur një bashkëpunim i gjerë me mbi 500 burime që kanë dorëzuar materiale me vlerë të madhe dokumentuese. Sot me aneksin e metodologjisë për dokumentim e krimeve ekonomike po e hedhim së bashku një hap tjetër të rëndësishëm. Ky dokument do të jetë udhërrëfyes për mbledhjen e fakteve duke garantuar që puna përfundimtare të jetë edhe e saktë edhe e unifikuar”, tha ai.
Ndërsa drejtori ekzekutiv i IKKL-së, Atdhe Hetemi, tha se instituti tashmë ka një rrjet të gjerë rajonal për mbledhjen dhe ruajtjen e materialeve mbi krimet e luftës.
“IKKL ka zyrën në Prishtinë dhe 6 zyra rajonale në gjithë vendin. Kemi krijuar një rrjet shtetëror për mbledhjen, verifikimin dhe ruajtjen e materialeve mbi krimet e luftës bazë kjo e domosdoshme për drejtësi dhe kujtesë. Sot arkivi përmban materiale fizike dhe digjitale të mbledhura nga 11 shtete të ndryshme falë besimit që kemi ndërtuar me partner institucional, familjarë të viktimave dhe vetë viktima të mbijetuara”, tha ai.

