Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Këshilli Inicues i Muzeut të Artit Bashkëkohor, kanë organizuar konferencë për Prezantimin e konceptit themelues të Muzeut të Artit Bashkëkohor të Kosovës.
Me këtë rast, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku foli për rëndësinë e këtij muzeu, derisa tha se pas kalimit të Projektligjit për Artin dhe Kulturën në Kuvend, ministria do t’i ofrojë të gjitha kushtet për të zbatuar propozimin e këshillit iniciues për themelimin e këtij institucioni.
“Takime të përjavëshme, vizita studimore, punëtori të gjata dhe konsultime të drejtpërdrejta me komunitetin artistik kanë rezultuar me një punë të palodhshme që do t’i shërbejë artistëve, qytetarëve e vizitorëve. Në këtë propozim do të paraqiten pjesët integrale të muzeut. Me Projektligjin për Artin dhe Kulturën që do të kalojë nesër në Kuvend do të themelohet institucioni i artit bashkëkohorë. Që nga aty ministrisë i mbetet që të ofrojë të gjitha kushtet për të zbatuar propozimin e këshillit”, deklaroi ai.
Ndërkaq, ky muze është paraparë të themelohet në ndërtesën e ish-Rilindjes në Prishtinë.
“Ky synim është bërë në stërndërtim me disa nga profilet më të rëndësishme që ka arti bashkëkohorë në Kosovë. Nga vetë vëllimi i punës ishte sfidë e madhe, por punë e domosdoshme për muzeun e artit bashkëkohorë. Më 8 qershor 2023 është dorëzuar propozimi final të ministria. Ndërtesa ka qenë në epiqendër të propozimit dhe kjo është ndërtesa e ish-Rilindjes. Është votuar që muzeu i ardhshëm të ideohet në këtë ndërtesë. Përveç se i plotëson nevojat për hapësirë, ish-Rilindja është simbol për nisjen e një iniciative ambicioze për artë”, tha Yll Rugova, kryesues i Këshillit iniciues për themelimin e Muzeut të Artit Bashkëkohor.