Në ambientet e Muzeut Kombëtar të Kosovës është bërë prezantimi i projektit të Stadiumit Kombëtar të Kosovës i cili do të ndërtohet në Drenas, raporton Ekonomia Online.
Projekti për stadiumin është bërë sipas standardeve ndërkombëtare të FIFA- dhe UEFA-s ndërsa kapacitetet e këtij stadiumi pritet të jenë rreth 30 mijë ulëse dhe do të përdoret edhe për lojët ndërkombëtare.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se Kosova duhet ta ketë stadiumin më të bukur në Ballkan dhe ky duhet të ndërtohet.
“Me ato projeksionet që i mendon ministri, pa përkushtimin e tij nuk do të mund ta bënim këtë projekt. Le ta shikojnë të gjithë, ajo çfarë duhet të ndodhë është kjo. Kosova duhet ta ketë stadiumin më të bukur në Ballkan dhe ky duhet të ndërtohet. Djemtë tanë janë duke bërë diçka të jashtëzakonshme. Këta djem po tregojnë se kur jemi të vendosur arrihet gjithçka, mundet gjithkush, kështu mund ta fitojmë betejën për të mirë tonë. Këta po tregojnë se Kosova ka mundësi me pasë sukses, si Majlinda Kelmendi dhe këta djem”, ka thënë Veseli.
Ky organizim u mundësua nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit ndërsa sipas tyre ky projekt cilësohet si projekti më i madh infrastrukturor sportiv që ka pasur ndonjëherë Kosova.
Ministri i MKRS-së, Kujtim Gashi, tha se ndërtimi i këtij stadiumi ka qenë dhe mbetet një prej prioriteteve të mia dhe Qeverisë.
“Një projekt kapital që është më i madhi sa i përket investimeve në vendin tonë. Ky ka qenë dhe mbetet një prej prioriteteve të mia dhe Qeverisë. Ka qenë një periudhë jo e lehtë deri te kjo ditë dhe besoj që kemi arrit në fund ta kemi një projekt që i plotëson kushtet dhe nevojat për sportistët. Ky stadium do ndërtohet afër aeroporti “Adem Jashari”. Është në mes të tri komunave të mesi të Kosovës, afër Prishtinës, shumë afër edhe me Prizrenin, Pejën e Gjakovën dhe e lidhë tërë territorin e Kosovës përmes autostradës”, tha Gashi, raporton EO.
Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, u shpreh i lumtur me ndërtimin e këtij stadiumi.
“Më vjen shumë mirë që ky stadium po bëhet në këtë kohë jo vetëm për futbollistët, por edhe për publikun tonë sepse kërkesat e tyre janë vazhdimisht”, tha ai, raporton EO.
Futbollisti i Përfaqësuesës së Kosovës në futboll, Milot Rashica, tha se do të mundohen ta japin maksimumin në këtë fushë për t’i bërë krenarë të gjithë.
“Bashkë me bashkëlojtarët kemi me u mundu në fushën e futbollit me dhënë maksimumin dhe shpresoj që kemi me vazhdu me ju bë krenarë. Po shihet interesimi i njerëzve me shiku jo vetëm kur po luajmë në Prishtinë, por edhe kudo dhe besoj që këta njerëz e meritojnë stadiumin”, tha ai.
Arkitekti turk, Murat Tabllandiogllu, i cili e ka bërë projektin e këtij stadiumi tha se ishte i nderuar që pati mundësinë ta dizajnojë një stadium për Kosovës.
“Jam vërtet i nderuar të dizajnoj një stadium për ju. Jemi duke e bërë sipas standardeve të FIFA-s dhe UEFA-s”, tha ai, raporton EO.
Deri më tani, Kosova ka luajtur në stadiumin e qytetit të Prishtinës, “Fadil Vokrri”, mirëpo sapo të përfundojnë ndërtimi i këtij stadiumi, Kosova do të shpërngulet.