Është një histori e superuar, por ideja që mund të ndihmojë edhe një njeri të vetëm duke e treguar, e ka motivuar në botimin e librit të saj, “Një jetë në dukje e përkryer”.
Prezantuesja e njohur që vetëm dy ditë më parë pushtoi mediat italiane me një fragment nga programi Verissimo që do jepet të shtunën, ku tregonte që një sekt për pak i kishte shkatërruar jetën, por arriti t’i shkatërronte martesën, ka shkruar një libër me historinë e saj, i cili tashmë ndodhet në libraringa gjiganti i botimeve Mondadori. Tashmë të gjithë mund ta zbulojnë sekretin e jetës së Michelle Hunziker.
Të gjithë e njohin Michelle për humorin, autoironinë, flokët e gjatë biondë dhe buzëqeshjen e mrekullueshme. Megjithatë ka qenë një kohë kur ajo buzëqeshje ishte maska më e shndritshme, e vendosur për të fshehur brishtësitë e një vajze pak më shumë sesa 20 vjeçe. Pikërisht në çastin më të errët të jetës së saj, ndodh takimi i destinuar për ta ndryshuar. Ajo ishte një grua e sjellshme, e dashur, empatike, e aftë për të kuptuar dobësitë e të tjerëve, që ata ndoshta as nuk e dinin që i kishin: pikërisht për këtë arsye, një manipulese e përkryer, shkruhet në faqen e Mondadorit teksa përshkruhet historia e “Një jetë në dukje e përkryer”.
Molla e kuqe që përdori për të joshur Michelle ka shijen e ëmbël të të kuptuarit në thellësi, të të dëgjuarit pa gjykuar. “Familja jote jemi ne”, i përsëriste ajo grua. “Nuk ke asnjë tjetër. Mamaja nuk të do, nuk të kërkon kurrë. Burri nuk të donte, përndryshe nuk do të kishte lënë. Pa ne je e vetme, shumë e vetme.” Pastaj e ndëshkonte duke e braktisur, duke i ndaluar çdo kontakt me anëtarët e tjerë të sektit.
Me shpresën që ndarja e përvojës së saj mund të ndihmojë dikë që po kalon një situatë të ngjashme, Michelle tregon për herë të parë katër vitet e kaluara në një sekt. Deri kur gjeti forcën për të dalë. Falë dashurisë.
“Një histori e vërtetë”, konfirmon Michelle në videon promovuese të librit. Ajo thekson shpresën që ky libër të ndihmojë njerëzit për të mos rënë në kurthin që ra ajo.