Festivali Ndërkombëtar i Filmit – PriFest, që do të ketë edicionin e 9-të në korrik, bëri publik sot programin e parë të filmave në mes gjithsej 10 programeve të ndryshme që ka ky festival.
Bëhet fjalë për programin garues të filmave të metrazhit të mesëm (Middle Length) që do të sjellë për publikun kosovar në Prishtinë gjithsej 13 filma nga mbarë bota, prej tyre 3 premiera botërore të cilat shfaqen për herë të parë para publikut kosovar para se të shfaqen kudo në botë, si dhe 1 premierë ndërkombëtare, 1 premierë evropiane, 4 rajonale dhe të tjerat premiera kosovare, të gjitha do të shfaqen për publikun kosovar për herë të parë.
“The kite that flies on its own” film nga Gjermania, si dhe “Tisa” dhe “Once upon a time in Kosova” – filma nga Kosova janë titujt e premierave botërore, të cilat do të shfaqen në programin e filmave të metrazhit të mesëm, bashkë me projekte tjera nga vende të ndryshme të botës si nga Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Zvicra, Belgjika, Irani, Israeli, Republika Çeke, dhe nga Kosova.
Të gjithë filmat në këtë program do të garojnë dhe vlerësohen nga juria ndërkombëtare për të marrë çmimin Silver Goddess (Hyjnesha e Argjendtë).
Programi i filmave të metrazhit të mesëm në PriFest 2017:
1. KITE THAT FLIES ON ITS OWN, Gjermani, Premiere Botërore
2. ONCE UPON A TIME IN KOSOVA, Kosovë, Premiere Botërore
3. TISA, Kosovë, Premierë Botërore
4. THE MIGHTY BIGORNE, Francë, Premierë Ndërkombëtare
5. AVA IS GOING TO BE AN ORPHAN, Iran, Premiere Europiane
6. CONFECTION, Britani e Madhe, Premiere Regjionale
7. THE ISLAND, Republika Çeke, Premierë Regjionale
8. SPARTA, Francë, Premirë Regjionale
9. DOT, Gjermani, Premierë Regjionale
10. NAKED, Israel, Premierë Kosovare
11. LA FEMME ET LE TGV, Zvicër, Premierë Kosovare
12. THE SUMMER MOVIE, Francë, Premierë Kosovare
13. TERRIER, Gjermani, Premierë Kosovare
Audienca e PriFest këtë vit nga data 13-20 Korrik, do të mund të shikojë filma në hapësirat e Teatrit Kombëtar (dy salla), Kinema nën qiellin e hapur te Sheshi “Zahir Pajaziti”, në Kino ABC dhe në Kinemanë tjetër nën qiellin e hapur te Amfiteatri i Muzeut Kombëtar, derisa biletat do të kushtojnë 3€ dhe mund të blihen te biletorja e Teatrit Kombëtar dhe Kino ABC-së.
Mundësi tjetër shumë e mirë për të apasionuarit e filmit që të blejnë Kartelën “All in one” e cila iu mundëson që për 10€ të shikohen gjithsej 76 filma të festivalit.
Organizatorët paralajmërojnë një javë plot filma, debate dhe aktivitete tjera që do t’i japin kryeqytetit, Prishtinës, një freski tërësisht unike në mes të verës.