Prince Harry synon ribashkimin historik me babanë, Mbretin Charles

Prishtinë | 03 Gus 2026 | 10:44 | Nga Ekonomia Online

Princi Harry po shpreson për një ribashkim publik me babanë e tij, Mbretin Charles III, gjatë edicionit të ardhshëm të Lojërave Invictus, që do të zhvillohen verën e ardhshme në Birmingham.
Sipas raportimeve, organizatorët e Lojërave Invictus planifikojnë t’i dërgojnë një ftesë zyrtare Mbretit për të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes ose të mbylljes, si edhe për të vizituar garat sportive dhe për t’u takuar me pjesëmarrësit, shkruan Mirror.

Nëse monarku e pranon ftesën, kjo do të ishte hera e parë pas disa vitesh që ai dhe djali i tij do të shfaqeshin së bashku në një aktivitet publik, një zhvillim që mund të sinjalizojë një përmirësim të marrëdhënieve mes tyre.

Princi Harry, themelues i Lojërave Invictus, pritet të jetë i pranishëm gjatë gjithë aktivitetit, ndërsa një pjesëmarrje e Mbretit Charles do t’i jepte ngjarjes një simbolikë të veçantë dhe do të rriste pritshmëritë për një afrim mes familjarëve.

Herën e fundit që Mbreti Charles dhe Princi Harry u panë së bashku në publik ishte në shtator të vitit 2022, gjatë ceremonive mortore të Mbretëreshës Elizabeth II. Më herët, ata morën pjesë edhe në festimet e Jubileut të Platinit të mbretëreshës, po atë vit.

Edhe pse Harry mori pjesë në kurorëzimin e Mbretit Charles në maj 2023, ai nuk u përfshi në aktivitetet publike dhe u kthye në Kaliforni vetëm 24 orë pas mbërritjes në Mbretërinë e Bashkuar.

Mbetet për t’u parë nëse Mbreti Charles do ta pranojë ftesën, por një takim i mundshëm në Birmingham do të konsiderohej një moment i rëndësishëm në raportet mes babait dhe djalit, të cilat prej vitesh kanë qenë të tensionuara.

Të ngjashme