Princi i Drenicës në përfaqësuesen e vendit, që president ka një ish-futbollist

Prishtinë | 06 Nën 2019 | 09:25 | Nga Ekonomia Online

Përfaqësuesja që një herë ka dhënë futbollistin më të mirë në botë, do të ketë këtë muaj në përbërje një lojtar që bën karrierë në Kosovë. Bëhet fjalë për përfaqësuesen e Liberisë që i ka bërë ftesë mbrojtësit të Drenicës së Skënderajt, Prince Balde.

Drenica përmes faqes zyrtare ka njoftuar se Balde është ftuar në përfaqësuesen A të Liberisë për miqësoren ndaj Iranit, që zhvillohet më 19 nëntor në Teheran.

“Balde është një ndër mbrojtësit më stabil në elitën e futbollit kosovar. Paraqitjet e tij të mira me ekipin tonë i kanë lënë përshtypje edhe përzgjedhësit të Liberisë, Peter Butler”, ka njoftuar klubi Drenica, shkruan sot Koha Ditore.

Liberia është përfaqësuese mesatare afrikane. Nuk është paraqitur ndonjëherë në kampionat botëror dhe nuk ka ndonjë sukses të madh ndërkombëtar. Po ashtu nuk ka aktualisht ndonjë lojtar të njohur në nivel të lartë evropian. Por nuk ishte gjithnjë kështu. Liberinë në botën e futbollit e ka bërë të njohur George Weah, i shpallur futbollisti më i mirë i vitit në botë nga FIFA në vitin 2015. Weah është i vetmi futbollist nga Afrika i shpallur më i miri i vitit në botë.

Weah famën e kishte arritur te PSG-ja e Milani, ndërsa ka luajtur edhe për Monacon, Chelsean, Manchester Cityn e Marseillen. Ai aktualisht është president i shtetit të Liberisë, ndërsa ka përfituar shumë nga karriera e madhe në futboll. Ylli Weah kishte udhëhequr Liberinë në dy Kupa të Afrikës, që mbeten pjesëmarrjet e vetme të kësaj përfaqësueseje në garën kontinentale. Weah kishte fituar edhe çmimin “Ballon d’Or” në vitin 1995 dhe njihet si një prej futbollistëve më të mëdhenj afrikanë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme