Banorët e fshatit Sllovi të Lipjanit kanë kritikuar Komunën me arsyetim se nuk e ka siguruar transportin e 150 nxënësve të SHF “Hasan Zyko Kamberi”, të cilët për çdo ditë ecin në këmbë 3-4 kilometra.
Për largësi nga shkolla mbi 3 kilometra, sipas ligjit dhe udhëzimeve administrative të MASHT-it, Komuna është e obliguar që nxënësve filloristë t’ua sigurojë transportin falas, shkruan sot Koha Ditore.
Prindërit kanë deklaruar se fëmijët janë të rrezikuar gjatë vajtje-ardhjes nga shkolla derisa rruga kryesore e fshatit nuk e ka të rregulluar trotuarin.
Bekim Neziri, prind, ka thënë se është shqetësuese që Komuna nuk po e siguron transportin për nxënësit filloristë, të cilët po ecin në këmbë deri në 4 kilometra për ta ndjekur mësimin. Sipas tij, fshati Sllovi ka një sipërfaqe të madhe, ndaj duhet patjetër që Komuna ta sigurojë transportin falas.