Prindon Sadriu ftohet në Shtëpinë e Bardhë në Samitin e Organizuar nga Zonja e Parë, Melania Trump

Prishtinë | 10 Dhj 2025 | 15:06 | Nga Ekonomia Online

Zotëria i Parë i Republikës së Kosovës, Prindon Sadriu, ka pranuar ftesë zyrtare nga Zonja e Parë e SHBA, Melania Trump, për të marrë pjesë në samitin ndërkombëtar që do të mbahet në Shtëpinë e Bardhë në muajin mars. Samiti do t’i dedikohet iniciativës së Zonjës së Parë Melania Trup “Fostering the Future Together”, të cilës Kosova iu bashkua në shtator 2025.

Kjo nismë globale e Shtëpisë së Bardhë do të vërë në dispozicion teknologji të avancuara, përfshirë inteligjencën artificiale, për të mbështetur fëmijët, prindërit, si dhe edukatorët, duke siguruar njëkohësisht mbrojtjen e të rinjve nga rreziqet online. Kompanitë më të mëdha botërore të teknologjisë janë zotuar t’i ofrojnë këto mjete pa kosto ose me kosto shumë të ulët për Kosovën dhe vendet e tjera pjesëmarrëse.

“Iniciativa e Zonjës së Parë Trump lidhet edhe me prioritetet e Presidentes Osmani për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve nga rreziqet digjitale si dhe zhvillimin e sektorit të teknologjisë informative në përputhje me interesat e fëmijëve. Presidenca e Kosovës do të kontribuojë me angazhim konkret në mbështetjen e kësaj iniciative, nëpërmjet planeve që tashmë i janë prezantuar Administratës së Presidentit Trump. Pjesëmarrja e Kosovës në këtë samit nënvizon angazhimin tonë në fuqizimin e aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës,  për të avancuar mirëqenien dhe zhvillimin e gjeneratës së re, si dhe për të forcuar më tej partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në komunikatën e Presidencës.

Të ngjashme