Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Malishevë ka prezantuar mbrëmë kandidatin e saj për deputet, Qëndrim Kryeziun, pak ditë para fillimit të fushatës zyrtare për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
Kryeziu, i cili në listën e PDK-së mban numrin 103, u prezantua në një tubim ku morën pjesë edhe kandidatë të tjerë për deputet dhe figura të kësaj partie.
Kandidati për deputet nga PDK-ja, Qëndrim Kryeziu, tha se angazhimi i tij politik buron nga përgjegjësia ndaj sakrificës për lirinë e vendit dhe nevoja për zhvillim ekonomik.
Ai kërkoi mbështetjen e qytetarëve në zgjedhje, duke theksuar se në Kuvend do të angazhohet kundër politikave aktuale të qeverisë. Sipas tij, prioritet i parë do të jetë shfuqizimi i rritjes së çmimit të energjisë elektrike, të cilën qytetarët po e paguajnë 30 për qind më shtrenjtë, ndërsa si pikë të dytë përmendi rregullimin e çmimeve.
“E kemi fituar me shumë mund, me shumë gjak, kemi pasur shumë të vrarë e shumë të plagosur. Ne duhet të punojmë për dëshmorët që dhanë jetën që ne të punojmë sot të lirë. Vendosmëria për ta dërguar vendin përpara më ka shtyrë që t’i hyj kësaj gare. Duke mos harruar asnjëherë këto, më ka bërë t’i hyj kësaj gare politike dhe do të mbroj zërin e qytetarëve dhe bizneseve. Duhet menduar për ngritjen e mirëqenies ekonomike. Kërkoj që të më votoni. Qëndrim Kryeziu do t’i bashkëngjitet kauzës se nuk do të ketë votë për Albin Kurtin. Pikën e parë që do ta çoj përpara që ta shfuqizoj në Kuvend do të jetë rryma që ju e paguani 30 për qind më shtrenjtë. Pika e dytë do të jetë rregullimi i çmimeve”, ka thënë Kryeziu.
Në këtë ngjarje foli edhe kandidati për deputet nga PDK-ja, Xhavit Haliti, i cili tha se e kaluara e partisë është e lidhur ngushtë me historinë e saj politike dhe se e ardhmja e PDK-së lidhet drejtpërdrejt me të ardhmen e Kosovës.
Ai theksoi rëndësinë e unitetit brenda partisë dhe sfidat që sjell zhvillimi i shpejtë global, përfshirë ndikimin e inteligjencës artificiale.
“Të flasësh para jush, para gjithë këtyre kandidatëve të PDK-së, mendoj nuk është e lehtë, sepse e kaluara jonë lidhet ngushtë me të kaluarën e PDK-së, por dua të them që do të kisha dëshirë shumë që të jemi të lidhur bashkë për të ardhmen e PDK-së. E ardhmja e PDK-së është e lidhur me të ardhmen e vendit tonë, me të ardhmen e Kosovës, me të ardhmen e Ballkanit dhe të ardhmen e këtij shekulli, i cili përmes inteligjencës artificiale ka ndryshuar gjithçka.”
Kandidati tjetër për deputet, Nait Hasani, tha se fitorja e PDK-së në zgjedhjet e 28 dhjetorit kërkon angazhim maksimal, veçanërisht në mobilizimin e votuesve.
Ai vlerësoi Qendrim Kryeziun për sukseset e tij në biznes, duke thënë se prania e një profili të tillë në Kuvend do të ishte nder për PDK-në dhe për qytetarët e Malishevës.
“Për ta arritur fitoren e PDK-së në zgjedhjet e 28 dhjetorit ka shumë sfida. Ajo më e rëndësishmja është që t’i nxjerrim njerëzit tanë të votojnë. Kemi ardhur këtu ta respektojmë Qëndrimin, i cili me angazhimin dhe punën e tij ka arritur suksese në biznes. Po ta kishte një njeri në Kuvend që ka vizion për punën si Qëndrimi, është një nder për PDK-në, është nder edhe për ju këtu”, tha ai.
Fjalim në këtë ngjarje mbajti edhe ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, si dhe kandidati për deputet nga PDK-ja, Bekim Haxhiu.



