Fluturimi i nisur mbrëmë nga Vjena e Austrisë, që për destinacion kishte aeroportin e Prishtinës, nuk arriti që të bëjë ulje në aeroportin ‘Adem Jashari’ në kryeqytet.
Aterrimi i këtij aeroplani të kompanisë ‘Austrian Airlines’, i mbushur me kosovarë është bërë dhunshëm në aeroportin ‘Nikola Tesla’ të Beogradit, raporton Indeksonline.
Pasagjerët të cilët ndodheshin në këtë aeroplan kanë thënë se aeroplanit i ishte prishur një motor, ndërsa janë njoftuar nga ekuipazhi se duhet të zbresin menjëherë në Beograd.
Se aeroplani kishte probleme teknike e ka konfirmuar për Indeksonline edhe zëdhënësi i Aeroportit të Prishtinës, Driton Hyseni.
“Për shkak të problemeve teknike është bërë ulja përgjatë arritjes në Prishtinë, saktësisht në aeroportin e Beogradit. Sipas deklarimeve të kompanisë së fluturimit, kjo ulje ishte saktësisht për probleme teknike”, ka thënë Hyseni.
Kurse i pyetur se çfarë saktësisht ka ndodhur me pasagjerët pas uljes së aeroplanit në Beograd, ky i fundit ka theksuar se për këtë nuk ka ndonjë informatë nga kompania në fjalë.