Një martesë e mbyllur pas 15 viteve jetë në çift ka përfunduar në përleshje në Valias, mes njerëzve të dhëndrit dhe të nuses.
Në përleshje me sende të forta deri edhe tek armët, janë përfshirë të dyja palët e miqësisë së prishur, çka ka sjellë që nga të dy krahët të ketë të arrestuar, por edhe të shpallur në kërkim.
Tetë persona të të dyja palëve janë goditur me çfarë të munden, thotë policia e Kamzës, pas ndarjes së Astrit Dobrushit me Nurije Dobrushin.
Çifti ishte larguar nga Shqipëria në vitin 2004, duke emigruar në Greqi. Të rinjtë, që të dy nga Kukësi u martuan me mblesëri dhe vendosën të largoheshin për të krijuar një të ardhme në vendin fqinj. Nusja në atë kohë ishte 18 vjeç, ndërsa dhëndri Astriti, 24 vjeç.
Por pas viteve të bukura në martesë, për shkak se nuk mundën të lindin fëmijë, 15 vjet më pas, bashkëshorti vendos të kthehet në Shqipëri dhe të ndahet. Por divorci ka ndodhur vetëm me fjalë, duke i kërkuar gruas që të kthehet te prindërit. Çifti u nda në muajin prill thotë një nga të afërmit që i njeh të dy.
Por ndarja nuk është lënë në qetësi nga ish-bashkëshortja. Ajo ka nisur përpjekjet për të marrë pjesë nga pasuria e vendosur nga të dy gjatë emigrimit dhe për këtë shkak është kthyer ditën e djeshme në shtëpinë e bashkëshortit ku edhe kanë nisur debatet. Dyshohet se i irrituar nga prezenca e ish-bashkëshortes, kuksiani e ka rrahur paq atë.
Nën dhunën e tij, 33-vjeçarja ka njoftuar dy vëllezërit dhe kaq ka mjaftuar. Dy vëllezërit e saj Sabahu, Shpresimi dhe i ati Miftari kanë mbërritur në shtëpinë e ish-krushqve dhe me çfarë munden të dyja palët janë rrahur.
Madje një moment i ati i vajzës ka qëlluar me pistoletë, ndërkohë që nga përdorimi i sendeve të forta si shkopinj dhe gurë nga pala e dhëndrit ka mbetur i plagosur i vëllai i tij, Vullnet Dobrushi. Është dashur ndërhyrja e fqinjëve që të ndajnë të dyja palët, derisa aty ka mbërritur policia.
Në spital është dërguar njëri nga të plagosurit që ka fraktura në gjymtyrë. Sakaq policia i ka dhënë urdhrin e menjëhershëm Nurijes.
Policia gjeti në vendngjarje dhe sekuestroi gëzhojë armësh, ndërkohë që pasi arrestoi tre prej tyre, ka shpallur në kërkim edhe të tjerë siç janë kushërinjtë e parë të nuses, që të dy të moshës 29 dhe 35 vjeç. Të arrestuar në flagrancë janë edhe ish-vjehrri Miftar Vishaj 61 vjeç dhe ish-dhëndri i tij, Astrit Dobrushi.