Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e ka quajtur një lajm fantastik për Prishtinën dhe gjithë Kosovën, përzgjedhjen me shumicë votash të Asamblesë së Përgjithshme të Komunitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare që këto lojëra të organizohen në Prishtinë.
“Ky është lajm fantastik mbasi këto lojëra Mesdhetare do të jenë ngjarje e madhe sportive për krejt Kosovën.
Për zhvillimin e ngjarjeve sportive të 24 disiplinave garuese, do t’i përdorim terrenet e sallat sportive edhe në Gjakovë, Pejë, Ferizaj, Podujevë, e Mitrovicë. Kurse me zhvillimin e garave detare në qytetin e Durrësit, nëpërmjet një partneriteti tejkufitar mes shteteve, që po ashtu do të dëshmohet për herë të parë në historinë e Lojërave Mesdhetare, do t’i shndërrojmë ato në një festë të madhe sportive për krejt kombin tonë. Lojërat Mesdhetare – Prishtina 2030 janë arritje e madhe për Prishtinën, fitore e madhe për Kosovën dhe Festival i madh sportiv dhe jo vetëm për mbarë kombin shqiptar” – ka deklaruar kryetari Rama.
Komuna e Prishtinës thotë se do të bashkëpunojë me të gjithë aktorët, për të ndërtuar infrastrukturën e nevojshme sipas standardeve.