Gjatë javës së kaluar nga federata e pingpongut u organizuan disa aktivitete të ndryshme, duke filluar me nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit me federatën e Shqipërisë me 28 nëntor në Durrës me pjesëmarrjen e figurave kryesore të sportit nga Kosova dhe Shqipëria.
Po ashtu me 28 nëntor u organizua edhe turneu i veteranëve për hire të ditës së flamurit, me pjesëmarrje të afër 40 pjesëmarrësve, kësaj radhe vetëm nga Kosova.
E nuk mbeti anash as organizimi i garave ekipore në të katër ligat ku u zhvilluan ndeshjet e parapara. Derbi i kësaj jave ishte ndeshja ndërmjet Elting Dardanisë dhe Prishtinës, që të dyja pretendues për titullin e nën kampionit. Në sezonin pranveror Prishtina pat fituar, e ndeshjet për garat e kupës së Kosovës i kishte fituar Elting Dardania, andaj kjo ishte ndeshja e tretë ndërmjet të dy klubeve për të siguruar edhe vendin e nënkampionit në Superligën e Kosovës. Prishtina e fitoj këtë ndeshje me rezultat të ngushtë 3:2 e me këtë edhe siguroi vendin e nënkampionit për këtë vit.