Xhiroja e 26-të të Ipko Superligës së Kosovës do të kompletohet nga tri ndeshjet që do të zhvillohen sot. Feronikeli do ta presë Drenicën, ndërsa Ballkani dhe Prishtina synojnë fitore kundër Ferizajt dhe Llapit.
Feronikeli – Drenica
Feronikeli do ta presë Drenicën në stadiumin Rexhep Rexhepi në Drenas so tnë orën 16:45, për ta nisur ditën e dytë e ndeshjeve të xhiros së 26-të.
Kjo përballje do të zhvillohet mes dy klubeve që ndodhen në gjysmë të tabelës dhe për momentin nuk janë në rrezik as të bijnë nga liga, veçanërisht Feronikeli, ndërsa nuk janë as në garë për titull, veçanërisht Drenica.
Sezoni aktual kishte nisur pikërisht me përballje mes Drenicës dhe Feronikelit në Drenas, më 17 gusht të vitit të kaluar, kur kampioni në fuqi kishte marrë fitore bindëse me rezultat 4:1.
Ndërsa, Drenica e kishte fituar me rezultat 1:0 ndeshjen e dytë kundër Feronikelit, të zhvilluar në shtëpi në kuadër të xhiros së 12-të.
Ferizaj – Ballkani
Ballkani do të tentojë ta marrë fitoren e dytë që nga rinisja e sezonit sot në stadiumin me bar sintetik në Ferizaj, në ndeshjen që nis në orën 16:45, për ta vazhduar ëndrrën për titullin e kampionit.
Ballkani, që e kryesonte ligën para ndërprerjes së sezonit në mars shkaku i koronavirusit, nuk ka arritur të marrë rezultate mjaftueshëm të mira për ta mbajtur kreun dhe tani ka rënë në pozitën e katërt në tabelë, por sot e ka mundësinë ta zvogëlojë dallimin nga liderja Drita në vetëm tri pikë.
Për ta bërë këtë, Ballkani duhet ta mposhtë Ferizajn, që është duke luftuar për mbijetesë dhe synon ta shfrytëzojë barazimin mes Trepçës ’89 dhe Flamurtarit, për t’i rritur gjasat për ngritje nga zona e rrezikut.
Ballkani e kishte fituar me rezultat 2:1 përballjen e parë kundër Ferizajt, ndërsa me rezultat 3:0 ndeshjen e dytë e cila ishte zhvilluar në Suharekë.
Llapi – Prishtina
Derbi i rajonit, mes Llapit dhe Prishtinës, do të zhvillohet sot në orën 16:45 në stadiumin Zahir Pajaziti në Podujevë, në ndeshjen që vetë klubi kryeqytetas e ka quajtur si më të vështirës e stinorit pranveror deri më tani.
Llapi do të luftojë më shumë për prestigj, pasi që tashmë ka mbetur prapa në tabelë, por nuk rrezikon rënien, përderisa Prishtina shpreson në fitore për t’i afruar lideres Dritës për dy pikë.
Llapi e kishte fituar përballjen e parë kundër Prishtinës, me rezultat 1:0, ndërsa kryeqytetasit ia kishin kthyer me fitore 4:P1 në xhiron e 15-të. /Gazeta Express/