Komuna e Prishtinës po përballet me mungesë të inspektorëve, sidomos këto ditë kur aktiviteti është më i shtruar për shkak të zbatimit të masave parandaluese ndaj përhapjes së Coronavirusit.
Drejtori i Inspekcionit në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se kjo komunë përballet me mungesë të inspektorëve edhe në ditët e zakonshme.
“Ne kemi mungesë të inspektorëve edhe në ditë të zakonshme e lëre më në kohë pandemie kur ka shumë më shumë punë”, tha Tahiri.
Ai ka bërë me dije se Inspekcioni i Prishtinës, është i ndarë në tre sektorë.
“Ne funksionojmë përmes tre sektorëve. Është sektori i rendit komunal, sektori i ndërtimit dhe sektori i pylltarisë. Sektori i rendit komunal merret me pjesën dërmuese të problematikave brenda kryeqytetit duke filluar nga uzurpimet, sanitaria nga kontrollet e ndryshme”.
“Sektori i ndërtimit merret veç me ndërtim, kurse sektori i pylltarisë merret me pyje. Sektori i rendit komunal është shumë aktiv për shkak se e ka edhe në përshkrim të punës mbikëqyrjen në këtë fazë që jemi, e bizneseve kurse dy sektorë të tjerë merren me çështje e tyre sikur në ditë normale”, tha Tahiri.
Tahiri ka bërë me dije se ndonëse Prishtina është në karantinë, inspektorët po e vazhdojnë punën në kryerjen e obligimeve të tyre, normalisht.
Ai ka thënë se edhe në ditët sa ka qenë e lejuar puna në ndërtimtari, Inspektorati ka vazhduar punën.
“Sigurisht se po në raste se ka tentativë për ndërtim pa leje, muaj më parë e kemi pasur një hov të rrënimeve me ç’rast pjesën dërmuese të vendimeve veç se i kemi zbatuar, tash nëse ka ndërtim të ri pa leje ne shkojmë me procedurë si zakonisht sikur të mos ishin në kohë pandemie”.
“Fillimisht i ndërpriten punimet dhe orientohet që të pajiset me leje, e ka një afat të caktuar për këtë, nëse nuk ndodhë një gjë e tillë i bëhet vendimi për rrënim dhe jepen 15 ditë afat që të e rrënon vet objektin”.
“Në rast se as kjo nuk ndodhë do të organizohemi bashkë me policinë dhe me kompaninë që dhe e ekzekutojmë vendimin”, tha ai.
Tahiri ka thënë se deri tani nuk kanë hasur në shkelje deri tani nga ana e bizneseve, raporton EO.
“Pjesa dërmuese e bizneseve nuk punojnë. Shkeljet që bëheshin zakonisht janë reduktuar edhe ato dhe në këtë fazë po e shohim që kemi edhe rënie ekonomike nuk është ideja që të shqiptojmë gjoba dhe t’i dëmtojmë edhe më tutje bizneset”.
“Mirëpo në rast se shkelen urdhëresat dhe vendimet të cilat kanë të bëjnë sidomos me parandalimin e shpërndarjes e virusit sigurisht se do të shqiptojmë gjoba”, shtoi Tahiri.