Që Prishtina është qytet në zgjerim e sipër e tregojnë edhe mbrëmjet në të.
Përveç numrit të madh të poçeve elektrike, që mund të duken nga larg, në disa pjesë kalimi është i vështirë, pikërisht në mungesë të ndriçimit publik, raporton KTV
Në errësirë totale banorëve e qytetarëve të ndryshëm, që kalojnë nëpër lagjen ‘’Dardania’’, u duhet të gjejnë veten përballë situatave të ndryshme.
Sipas tyre, në shumë situata ata rrezikohen nga qentë endacakë .
Qytetarët kritikojnë Komunën për mungesën e ndriçimit nëpër shumë pjesë të “Dardanisë”, ku sipas tyre disa shtylla janë funksionale e shumë të tjera jo.
Rrezikun thonë se e presin edhe nga makinat, që pavarësisht territ shoferët në raste tejkalojnë shpejtësinë e lejuar.
Zyrtari komunal që merret më projektet e zgjerimit të rrjetit publik elektrik, Bashkim Sadiku thotë se kontrata për mirëmbajtjen e ndriçimit është ende në proces të vlerësimit.
Por, nuk është vetëm lagjja “Dardania” ajo që ka mbetur pa ndriçim publik.
Sadiku thotë se pas përfundimit të procedurave për nënshkrimin e kontratës për zgjerimin e ndriçimit publik do të intervenohet edhe në Lagjen e Spitalit.
Sadiku tha se prishjet shkaktohen edhe nga banorët, por edhe nga intervenimet e shumta nga kompani të tjera nëpër shtylla.