Prishtinasit kanë afat deri më 28 shkurt për të marrë kartën rezidente për parking

Prishtinë | 12 Jan 2021 | 13:53 | Nga Aulona Sylaj

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, në konferencën për prezantimin e fillimit të projektit të menaxhimit të parkingjeve publike dhe mënyrat e pagesave, tha se të mërkurën do të fillojë zbatimi i pagesës për çdo makinë në hapësirat që janë të shenjëzuara në rrugë, raporton Ekonomia Online.

“Kemi bërë një zgjidhje që do t’i adresojë shumë gjëra. Do të bëjmë zvogëlimin e veturave në qendër. Nga nesër do të fillojmë zbatimin e pagesës për çdo makinë në hapësira që janë të shënjuara në rrugë. Nga nesër po ashtu fillon fushata një javore vetëdijësuese në krejt qytetin”, u shpreh ai.

Ahmeti tha se për personat që nuk janë banorë rezident të Prishtinës, për ta kufizimi vlen prej dy orësh.

Ai ka shtuar se mundësia e parë e pagimit të parkingut është përmes aplikacionit Prishtina Parking., ndërsa, opsioni i dytë është përmes operatorëve Ipko e Vala.

“Mundësia e tretë e kemi me një pajisje që quhet “Parking metër” kryesisht vlen për biznese. Mundësia e katërt është përmes biletave fizike që blihen në postë”, shtoi ai.

Tutje, Ahmeti tha se banorët e Prishtinës kanë afat që deri më 28 shkurt të marrin kartën rezidente të tyre.

“Ky aplikacion ma mundëson që të dimë se ku është problemi më i madh i parkingut në Prishtinë. Janë disa parkingje si atje në Dardani, te Santea e te Ramiz Sadiku ku parkingu do të jetë më vlerë me të ulët”.

“Qytetarët kanë afat deri më 28 shkurt për të marrë karta rezidente të cilat kanë çmime të ndryshme në varësi prej lagjes në të cilën jetojnë. Çmimi shkon deri 7 euro në muaj ose 100 euro në vit. Mundësia e dallavereve është e vogël”, shtoi ai.

Të ngjashme