“Prishtinë të du”
Kështu e nis përshëndetjen e saj me kryeqytetin, aktorja e njohur kosovare Yllka Gashi, ndërsa gjendet në Aeroportin e Prishtinës në rrugëtimin e saj drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Aktorja me rolin e saj kryesor në filmin ”Zgjoi”, tregon se si po e lë sot deri në vizitën e saj të herës tjetër, vendin në të cilin ajo u rrit e kaloi një pjesë të bukur të jetës, ku nisi edhe karrierën e saj në ballafaqim me plot sfida e kohën e viteve ’90-të.
Për më shumë, lexojeni përshëndetjen e saj me Prishtinën:
”Prishtinë të du!
E çdo herë që marr rrugë me t’lanë e me u largu prej teje,
Me shku n’shpinë tjetër – përtej Atlantikut,
Ni copë e zemrës pak më thehet,
E e kujtoj qysh haber s’kom pasë me e kuptu mërzinë e gurbetçarëve të familjes,
Kur u përlotshin sa herë pëshëndeteshin e u nisshin për Evropë
-atje ku veçse e kishin kriju jetën e re e i rritshin fmitë.
Prishtinë të du,
E mendja më shkon shpesh te ti,
Jo që je far qyteti pitoresk ose metropol që ëndërron dikush me jetu n’ty,
Ama je e jemja
Edhe bash hiq s’ka si ti!!!
Me krejt mangësitë që i ki,
Me aq sa ofron,
Me pluhnin e verës e lloqin e vjeshtës,
Trafikun e stërngarkumë,
Rrugët e ngushta,
E krejt behanet që i ki
për mu –
Je e veçantë dhe e bukur!
Prishtinë të du,
Se në ty jetojnë e për ty kontribojnë
E edhe vujnë nga mangësitë tua,
ata që m’i don loçka e zemrës-
familja jeme e plot miq e dashamirë.
T’du,
Se n’zemrën tande jam lindë e rritë, jam shkollu, eduku e kam ndërtu karrierë,
Kam njoftu gjith’far njerëzish,
Me disa prej tyne kam miqësi që koha veq i ka forcu e ju ka dhanë kuptim.
Në ty Prishtina jeme e kam gjetë dashninë,
E në ty m’ka beku Zoti me Ninën!
E në ty e kam shiju të bamit teze e hallë!
Prishtinë t’du,
E në ty kam përjetu shumëçka të bukur
Po edhe të trishtë,
Se gjenerata jeme që osht rritë në t’90-tat,
I ka përjetu shkollat fillore të ndame e shkollat e mesme nëpër shpia të improvizume,
Largimin e dhunshëm nga puna t’prindve,
Demonstratat e studentëve,
E protestat e nanave të Kosovës me nga një bukë në dorë – n’mesin e tyne edhe mama jeme,
Gazin lotsjellës,
Milicinë e paramilitarët,
‘Racinë’ nëpër kafiqa,
Slloganet “Kosova Republikë”,
Besa, edhe helmimet me ujë në shkolla të mesme -plot prej kësaj gjenerate- i mbajmë n’mend.
Ama, Prishtinë
Unë e gjenerata jeme i kemi përjetu edhe shëtitjet nëpër korzë,
E në “Gradic” Pejton,
Shampitet e Elidës kur ajo ishte ndër të vetmet ambëltore n’qytet,
Platon’ e “Boro Ramizit”,
1 Majin në Gërmi,
“Lluna Parkun” n’Dardani,
Dodonën e “Talentin…”
Orët Letrare në “Fjala”, “Hanin e 2 Roberëve”, në “Koha”,
Kafiqat e Kurrizit,
Burekat e “Bosnes” në pushim t’gjatë t’shkollës,
Mbramjet e semi-maturës te Qafa…
Sendviqat e “Metros” në pauzë gjatë studimeve.
Përjetime t’varfnjakut kish mujtë me thanë dikush tash,
Po krejt këto imtësina
E kan’pasë lezetin e vet,
E janë t’papërsëritshme
Se ti qaq ke pasë takat me dhanë!
Në ty Prishtina jeme,
Ka jetu baba jem i dashtun ma shumë se 50 vjet, t’u t’i njoftë mirë pllamtë e kilometrat
E t’u kontribu në edukimin e dhjetëra gjeneratave,
E prej knaqësive t’mdhaja t’fminisë,
I kujtoj kohët kur m’merrte me veti te berberi në qendër e derisa ai i prente flokët, unë ulesha n’atë karrigen e naltë me kali t’argjentë.
E kur ai e përfundonte qethjen,
Ecshim dorë për dore
e te “3 sheshirat” në njanën prej atyne kioskave te vogla m’blente Kavabona ose Herba.
Çfarë lezeti!!!!
Ma mirë se n’Disneyland!
Prishtinë, unë të du
edhe për arsye se në ty e kam përjetu luftën,
e frikën deri n’palcë
kur me kallasha e tenka na kan’ pëzanë prej teje në ‘99tën,
Po mandej, çlirimit tand i jam gëzu me krejt qenjen e me autobusin e parë të “refugjatëve” jam kthy në damarët tu.
Të du Prishtinë,
Edhe për përjetimet e
Rinisë së hershme,
Me kaosin e frikshëm të pasluftës
për 4 vjet studime në Fakultetin e Arteve, me kushte jo t’mira,
po me entuziazëm e energji bombastike,
Për rolin e parë në Teatrin Kombëtar,
Punën e parë në KTV,
“Familjen Moderne” në studiot e RTK-së…
Krejt këto-
Kujtime të bukra e t’paharrushme –
Që veq ti mi ke dhuru!
Në ty Prishtinë,
I kemi duru reduktimet qesharake të rrymës e t’ujit me vite t’tana.
Me gjeneratorë që t’i shurdhonin veshtë në krejt anët e qytetit,
Me reduktime t’rrymës 4, 6, 8 e besa edhe 20:4 kanihere.
E ato 4 orë kur vinte rryma, punojshin veq dritat edhe aty-ktu naj “shteker”.
Ama,
Prej dashnisë ndaj teje
e knaqësisë që po t’përjetojmë t’lirë,
gajle se kishim!
Prishtinë,
Ti je shtëpi e shumë njerëzve që m’i don zemra,
Që më merr malli për ta kur jam larg,
Njerëz, për të cilët gëzohem e çlirohem kur e di që janë mirë me shëndet e rehati,
Njerëz, për të cilët shqetësohem e mërzitem, kur nij që ju ka ndodhë ndonjë e papritun.
E nuk po flas veq për familjen e miqtë!
Kur jom n’gjinin tand,
-Edhepse me bon nervoz shumë e më dëshpron shpesh-
Diqysh zemra m’pushon e shpirti sikur m’qetësohet!
Për ty Prishtinë e për njerëzit tu,
Me merr malli,
Shpesh
E shumë!
M’vjen pak inati kur t’shajnë e t’kritikojnë
Ata që jetojnë në ty,
e pak e hiq mundohen me t’përmirësu,
Ose ata që nuk t’i kan përjetu periudhat e stoicismit po kan përfitu prej teje
n’emën t’lirisë e të zhvillimit,
tu t’gulfatë e shfrytëzu në çdo aspekt.
Ti s’ki faj Prishtina jeme e mirë,
Se qytetarinë, edukatën e kulturën e përgjithshme nuk munesh me ja u msu krejtve që jetojnë n’ty.
Ti nuk e prodhon bërllogun prej qiellit, po e ki kontribut prej “qytetarëve” tu.
Mërzitna edhe kur i humbi debatet e s’kom argumente me t’mbrojtë!
Ama çka gjithmonë kom me pasë për ty
e me ty Prishtinë,
osht DASHNIA e dhembshuria!
Qe 7 vjet prej s’largu
T’i përjetoj kënaqësitë,
sukseset,
dështimet,
dëshprimet
E shpresat.
Me ni mallëngjim, që veq ata që s’jetojnë ma n’ty e kuptojnë,
Po në zemër e në mendje t’kom afër përherë e kur përmallohem fort
t’i kujtoj veq të mirat.
Se je e jemja
E s’ka edhe njo si ti!
Prishtina jeme
Të pafsha ma mirë,
Ma të pastër,
Ma të organizume,
Me kerre ma pak,
E gjelbërim ma shumë!
Me ndërtesa ma me shije,
Me pluhun minimal,
Me vende atraksioni për fëmijë, pleq e gra shtatzana,
Me qytetarë të vetdijshëm që prona publike duhet me u rujtë e mbrojtë se ju takon krejtve.
T’pafsha që po të dojnë e po ta “dinë kimetin” ata që jetojnë në ty e që marrin vendime për ty.
E ti,
Më pritsh me dashamirësi e ngrohtësi si gjithmonë!
Prishtina jeme-
Qyteti i përhimtë,
Me makiatot ma t’mira n’dyje,
Me rininë ma t’bukur në rajon,
Me zemërgjansinë e mikpritjen ma t’madhe që dikush mundet me e përjetu.
Prishtina jeme,
Ku rreh zemra e mamës teme, Donës, Lilit e Adit!
Ku rriten e shkollohen Dini, Lisa, Mali, Omari, Lisi, Marini, Jora…
T’pafsha t’u shkëlqy e t’u lulëzu Prishtinë
se për mu
e shumë t’tjerë si puna jeme,
Ti mbetesh shtëpia që nuk i mbyllë dyrtë kurrë!
Deri herën e ardhshme,
Mirëmbetsh e FALEMNDERIT!”