Pritet largimi i Silvës nga PSG-ja, alarmohet Milani

Prishtinë | 09 Qer 2020 | 09:26 | Nga Ekonomia Online

Thiago Silva pritet të largohet nga Paris Saint-Germaini në fund të këtij sezoni, lajm ky që i ka alarmuar Evertonin e Carlo Ancelottit dhe ish-klubin e tij, Milanin.

Gazeta prestigjioze franceze, L’Equipe, raporton se drejtori sportiv i Paris Saint-Germain e ka telefonuar Thiago Silvën për ta informuar atë se nuk do t’i rinovohet kontrata, e cila do t’i përfundojë më 30 qershor.

Po i njëjti medium shkruan se mbrojtësi veteran 35-vjeçar nuk ishte i gatshëm të pranojë ulje page për të qëndruar edhe më tutje në Parc des Princes.

Kjo bën që Milani të ketë gjasa ta kthejë në San Siro mbrojtësin, i cili kishte luajtur për kuqezinjtë për tre vjet, mes viteve 2009 dhe 2012.

Ai e kishte ndihmuar Milanin ta fitojë titullin e kampionit të Serisë A në sezonin 2010/11, mirëpo ishte larguar me Zlatan Ibrahimovicin për të kaluar te gjiganti francez një vit më vonë.

Megjithatë, L’Equipe paralajmëron se Milani nuk do ta ketë të lehtë t’i sigurojë shërbimet e Silvës, pasi që për të thuhet të jetë i interesuar Evertoni, shkaku se mund ta marrin brazilianin si transferim të lirë.

Edhe pse Silva do t’i mbushë 36 vjeç në shtator, ai thuhet se mendon ta vazhdojë karrierën e tij si futbollist në nivelin më të lartë deri në moshën 40-vjeçare.

Për momentin, ai do të mbetet me PSG-në për pjesën e mbetur të sezonit 2019/20, pasi që skuadra e tij do ta rinisë garën në Ligën e Kampionëve në gusht. 

Të ngjashme