Kolonë e gjatë e automjeteve është parë të mërkurën, në ditën e tretë të 2024-ës, në vendkalimin kufitar në Merdar.
Ekipi i Ekonomia Online, i cili ka qëndruar për disa orë sot pasdite, ka vërejtur se kufirin Kosovë-Serbi po e kalojnë dhe një numër i automjeteve me targa RKS. Disa nga të intervistuarit thanë se po shkonin për të vizituar të afërmit, por nuk e përjashtuan mundësinë që edhe të punojnë.
Për qytetarët e Kosovës nga 1 janari është hequr regjimi i vizave për në zonën Schengen.
Po nga 1 janari, automjetet e regjistruar me targa të Republikës së Kosovës lejohen të kalojnë edhe në territorin e Serbisë.
Fisnik Bunjaku tregoi për Ekonomia Online se po shkon në Gjermani dhe planifikon të qëndrojë një ose dy javë. Ai deklaroi se nëse “i vjen mundësia” do të punojë.
“Nëse na pëlqen mirë, nëse nuk na pëlqen kthehemi. Tashti kemi liri më shumë. Po shkojmë në Berlin me i vizitu dajtë. Një javë ose dy kemi me ndejt”.
“Nëse më vjen mundësia me punu, do të kisha punu atje. Ta shohim, hera e parë si është”.
“Nuk është diçka e madhe liberalizimi i vizave, por na është dashtë”, shprehet ai.
Rifat Duraj është shprehur i lumtur që qytetarët e Kosovës, më në fund do të mund të lëvizin lirshëm në Bashkimin Evropian dhe vendet e tjera të zonës Schengen.
“Jam shumë i kënaqur. Jemi tu shku në Kroaci, me babin e vëllaun. Liberalizimi i vizave është lehtësim për qytetarët e Kosovës”.
Ai pret largim të qytetarëve, ndoshta në muajt e parë. “Brenda vitit ka mundësi që njerëzit me ikë prej Kosovës, por prapë kthehen. Kthehen në vend të vetin, duhet me u kthy patjetër”, deklaron Duraj, për EO.
Selami Visha, i cili jeton në një vend të BE-së, vlerëson se liberalizimi do ta dëmtojë ekonominë e Kosovës.
“Liberalizimi i vizave ka me bë jetën më të vështirë në Kosovë, sepse shumë ikin e shumë lëshojnë vendin”. Por, sipas tij, Kosova është vend i bukur. “Këtu je ma rehat, ma shumë kënaqesh”.
“Shpresoj të kalojnë mirë në pushime çdonjëri që vjen. Mireseardhshin!”
Bajram Ibishi tha se do të rrijë rreth një muaj, dhe nuk e përjashton mundësinë të shkojë në të ardhmen për të punuar.
“Mbas një muaji do të kthehemi. Njëherë nuk e kam ndërmend me punu atje, veç nëqoftëse del najsend më e mirë se kjo që punoj tani”.
Rinor Demaj, shtetas i Shqipërisë, parashikon se Kosova do të ketë probleme me fuqinë punëtore, njëjtë sikurse Shqipëria.
“Më është bërë shumë qejfi për kosovarët. Pse mos të vijnë të rinjtë të punojnë, sikurse po punojmë të gjithë shqiptarët, sepse në Shqipëri e Kosovë nuk kemi çka me bë tjetër”.
“Ka me mbetë Kosova bosh. Por jemi të detyruar të shkojmë të punojmë, sepse nuk i kemi kushtet, në Kosovë e Shqipëri, sikur punojmë në Evropë”, shprehet ky i intervistuar.
Erlando Rexhaj, po ashtu, përshëndet vendimin për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.
“Shumë ua ka lehtësu qytetarëve të dalin, dhe të rinjtë të punojnë në shtete të Evropës. Kanë më pru të ardhura shumë në Kosovë, rinia”, vlerëson ai.
Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhimin Kufitar të Republikës së Kosovës (QKMKK) e cila monitoron hyrje-daljet në pikat kufitare të Kosovës, pritjet për të dalë nga Kosova në vend kalimin kufitar në Merdar janë deri në 2 orë.