Interesimi i qytetarëve për të votuar në zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025 është jashtë pritjeve dhe parashikimeve.
Sigurisht se sabotimi i pozitës në nivel qendror për formimin e institucioneve, si dhe “gjumi i thellë” i opozitës, kanë ndikuar që atmosfera para zgjedhjeve të ngjajë më shumë me një vizitë për “kryeshëndosh” sesa përmbushje të detyrimit qytetar dhe ligjor për të votuar.
Fushatat ishin monotone, pa gjallëri, sepse po përtypen gjërat dhe premtimet që as nuk janë realizuar, e as që mund të realizohen. Po të mos ishte dyshi Mehmetaj – Lladrovci, do t’ia krisnim gjumit këto netë të ftohta dhe të mërzitshme.
Do ta veçoja fushatën e Besa Shahinit dhe Natyra Kuçit, Arian Tahirit, Përparim Ramës dhe Uran Ismailit. Madje Urani, gjatë kësaj fushate, çdo të hëne e shpërndante një “gazetë” 4 faqëshe, ku ishte oferta e tij dhe e PDK-së për qytetarët e kryeqytetit.
Shukri Buja ishte shumë aktiv gjatë fushatës. Shaqir Totaj u zgjua nga kllapia e vapës së verës së tejngrohtë.
Debatet televizive nuk i dëgjoj fare. I konsideroj humbje kohe – ose shikoj ndonjë dokumentar, ndonjë ndeshje futbolli, ose lexoj diçka. E përcolla pjesërisht debatin e kandidatëve për Prishtinën. Hajnrullah Çeko nuk erdhi në Klan Kosova të “oligarkëve”, për shkak të patriotizmit folklorik. Hajnrullahu është patriot për aq sa unë jam daja i Xhingis Kanit.
Përrpa ishte mësuar ta dredhë e përdredhë fjalorin. Nuk ishte ai i para katër vjetëve. Kishte më shumë siguri dhe me një arrogancë të menaxhuar mirë dominonte mbi butësinë argumentuese të Uranit dhe Besës. Përrpa po luan tutti per tutti, të gjitha në një kartë, dhe kam bindjen se ia del edhe për një mandat.
Hajnrullahu i iku debatit, kurse përkrahjen më rrënuese ia dha një fake-profesor, llaskuc qeveritar, “prof. dr.” Ramçe.
Qartë po duket se Hajnrullahu nuk po ka interesim të madh ta fitojë Prishtinën – nuk i përshtatet oksigjeni i kryeqytetit. Po as partia nuk është se i ka dhënë ndonjë të shtyme të fortë. Partia që në start e dëmtoi me sloganin zgjedhor: “Hajn(r) Prishtinës”.
Alumni nderi i ardhshëm i Universitetit të Prishtinës, Mefail Bajçinovci, do të kalonte më mirë – votuesit e LVV-së e kanë atë nivel. Urani ishte si Marathomaku – kurrë nuk u ndalë! Ta shohim çfarë lajmi do e dërgojë në parti: ra Sparta apo fitoi Sparta?
Pritjet i rrisin tej kaçikut votues që e kanë. Është normale të jesh optimist. Për rrethanat tona është jonormale të jesh realist!
Sa komuna i ka vërtet Kosova? Po më dalin si shumë?!
Rezultati i zgjedhjeve lokale do të përcaktojë edhe qeverinë e ardhshme.
Mund të mos ketë fare zgjedhje të reja parlamentare. Por edhe pesë ditë deri të dielën mund të sjellin ndryshime të paparashikueshme.