Samiti i katërt i Procesit të Berlinit, i nisur në vitin 2014, do të jetë një shans i mirë që kryeministrat dhe ministrat e punëve të Jashtme, Ekonomisë dhe Transportit të vazhdojnë bisedimet për forcimin e bashkëpunimit, zhvillimin ekonomik dhe integrimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Në samitin e Triestes do të marrin pjesë edhe e ngarkuara e BE për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini, komisioneri për zgjerimin e BE, Johannes Hahn dhe komisionerja për transportin, Violeta Bulc. “Strategjia jonë ka si synim përfundimtar anëtarësimin e të gjitha gjashtë vendeve në BE”, theksoi Hahn gjatë përgatitjeve në Bruksel për këtë samit në Trieste.
Në Bruksel thonë se agjenda për samitin e Triestës, i cili do të mbahet me 12 korrik, do të përgatitet deri në momentin e fundit. Ajo do të paraqitet para liderëve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe vendeve partnere: Austrisë, Kroacisë, Francës, Gjermanisë, Sllovenisë dhe Italisë.
Temat në fokus
Samiti do të fokusohet tek tri çështje të rëndësishme: vazhdimi i ndërlidhjes mes vendeve të rajonit në fushën e transportit dhe infrastrukturës energjetike, zhvillimi i bashkëpunimit ekonomik rajonal, si dhe forcimi i kontakteve mes të rinjve dhe shoqërisë civile. Në samit do të bisedohet për zbatimin e Planit për ndërlidhje, të nisur në kuadër të Procesit të Berlinit, me qëllim zhvillimin ekonomik dhe financimin e projekteve infrastrukturore në transport dhe energji. Burime të Komisionit Evropian thonë se Brukseli do të vijë në Triestë me oferta të reja për mbështetje financiare të projekteve infrastrukturore në rajon. Pritet dhe nënshkrimi i një marrëveshje për krijimin e një unioni të transportit, i cili ka për qëllim integrimin e mëtejshëm të rrjeteve transportuese në rajon, por edhe ndërlidhjen e infrastrukturës së rajonit me rrjetet transportuese të BE.
A do të ketë treg të përbashkët në Ballkanin Perëndimor?
Krahas projekteve infrastrukturore, në Bruksel më së shumti është biseduar në kuadër të përgatitjeve të samitit në Triestë edhe për forcimin e lidhjeve ekonomike mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Komisioneri Hahn disa herë ka theksuar nevojën e harmonizimit të një “plani aksional” dhe zhvillimin e tregut të përbashkët ekonomik. Ideja për një treg të përbashkët është paraqitur në samitin e Sarajevës në mars të këtij viti dhe ka mbështetjen e BE-së. Hahn thotë se qëllimi kryesor i Triestes duhet të jetë qarkullimi i lirë i mallrave dhe shërbimeve, por kjo ide në rajon ka hasur në kundërshtime të fuqishme.
Mali i Zi dhe Kosova janë shprehur kundër “tregut të përbashkët”. Kosova e ka shpjeguar këtë qëndrim me faktin që këtë shtet nuk e kanë njohur Serbia dhe B-H, ndaj me to nuk mund të ketë një “treg të përbashkët”. Prishtina ka shprehur rezerva edhe për shkak të bashkëpunimit të ngushtë mes Serbisë dhe Rusisë, që mund të ketë influencë të madhe në tregun rajonal të Ballkanit Perëndimor. Nga ana tjetër, Mali i Zi mendon se një treg i këtillë do të shihej si alternativë e mundshme e integrimeve të Ballkanit në BE.
”Gjërat janë të ndryshme”, pohon Hahn. “Bëhet fjalë për përgatitjen e rajonit për futjen në tregun e tanishëm evropian.” Në Bruksel thonë se tregu rajonal do të përfshinte rreth 20 milionë qytetarë dhe do të hapte 10.000 vende të reja pune, si dhe do të përmirësonte gjendjen ekonomike dhe politike. Por mbetet të shihet nëse këto argumente do të pranohen nga të gjithë në Trieste. Ajo që duket e sigurtë në këtë moment është hapja e një Forumi për investime në kuadër të odave ekonomike të gjashtë vendeve të Ballkanit si dhe Kroacisë dhe Sllovenisë. Pritet që KE të mbështesë edhe sipërmarrjet e vogla dhe të mesme në sektorin privat. Në kornizat e samitit do të mbahet edhe Forumi i të rinjve dhe do të promovohet programi Erasmus për shkëmbimin e studentëve mes vendeve të rajonit, gjë që me sukses ka filluar.
Triesta si urë mes BP dhe BE
Vëmendje të posaçme këtij samiti i kushton edhe Italia si nikoqire. Italianët thonë se ata kanë lidhje të fuqishme me vendet Ballkanit dhe theksojnë edhe Deklaratën e Romës për “të ardhmen e BE”, të përgatitur në mars në Romë, e që duhet të miratohet në Trieste. Autoritetet italiane thonë se BE-ja duhet të mbështesë përgatitjen sa më të mirë të vendeve të këtij rajoni, për anëtarësim në BE. ”Me këtë samit në Triestë duam të ndërtojmë ura me Ballkanin Perëndimor dhe të forcojmë angazhimet e tyre për afrim me vendet e tjera të Evropës.
Perspektiva e anëtarësimit nuk duhet të jetë një koncept abstrakt por i kapshëm dhe i arritshëm. Ne duhet të punojmë më shumë në mënyrë që Ballkani të jetë port i paqes dhe që vendet e Ballkanit Perëndimor të futen në BE dhe të respektojnë të gjitha vlerat e tij”, tha ministri i Jashtëm i Italisë, Angelino Alfano. Në Bruksel dhe Romë shpresojnë se samiti në Trieste do të paraqesë edhe njëherë BE-në si “mbrojtës të stabilitetit dhe prosperitetit në këtë rajon”, por me mbështetjen dhe angazhimin e vet Ballkanit Perëndimor.