Përfaqësuesit më të lartë të Kosovës dhe Serbisë do të takohen nesër në Shtëpinë Bardhë në kuadër të procesit të dialogut. Palët e kanë cilësuar të vështirë këtë proces, por nuk kanë dashur të zbulojnë detaje rreth kësaj çështjeje, e cila shihet me interes të ngushtë në të dyja kampet.
Për këtë çështje, Euronews Albania zhvilloi një bisedë me ish-zëvendësministren e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edith Harxhi.
Ajo tha se, qytetarët në të dyja shtetet pavarësisht të shkuarës konfliktuale, sot presin me padurim të shohin përmirësime në fushën ekonomike, në rritjen e të ardhurave dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
“Mendoj, që natyrisht ka shumë vend për të parë hapësirën ekonomike për sa i përket marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës dhe anasjelltas, apo për të gjithë Ballkanin. 20 vjet mbas përfundimit të luftës është shumë normale se pritshmëria njerëzve, e faktorit popull në të dyja anët është e tillë, që është një periudhë post tranzicioni, post lufte. Njerëzit duhen të vazhdojnë jetën e tyre, biznesin dhe të jetojnë normalisht”, tha ajo.
Sipas znj. Harxhi, investimet në Kosovë dhe në Serbi do t’i jepnin një shtysë të fortë rritjes së tregut të punës, dhe kjo sipas saj, do t’i shërbente qartazi zhvillimit socio-ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Situata në të dyja vendet nuk është më e mira e mundshme. Janë dy vendet që kanë një popullsi të vogël, dhe nuk do të ishte shumë e vështirë për SHBA, Gjermaninë dhe BE për të hulumtuar mundësinë e investimeve të mëdha. Për këtë arsye, unë mendoj se një bashkim i fuqisë punëtore dhe i investimeve nga të dyja anët, do të ishte shumë domethënëse, sepse do të hiqnin shumë barriera nga të dyja anët”, shtoi ajo.
Ajo shtoi më tej se takimi në Shtetet e Bashkuara është një takim politik, që synon të nisë fazën përmbyllëse të çështjes së Kosovës.
“Jam e sigurt se ky nuk është një takim vetëm për çështje ekonomike, por ky është një takim politik në mënyrë të padiskutueshme, pasi për herë të parë ulen dy delegacione pas shumë vitesh, pasi janë kryer diskutime teknike mes dy palëve. Mendoj që ky është takim i rëndësishëm, me karakter politik dhe më pas ekonomik. Vuçiç e ka përgatitur terrenin në Serbi, madje në një deklaratë që ka bërë dje ka thënë se priten surpriza. Mendoj sot dhe nesër, kjo do të jetë nisja e përmbylljes së çështjes së Kosovës”, u shpreh Harxhi.