Privatizimi i egër ka ngulfatur hapësirat publike

Prishtinë | 29 Tet 2019 | 13:00 | Nga Ekonomia Online

Dje në Kinema “Jusuf Gërvalla” është mbajtur diskutimi në kinema me titull “Si t’i mbajmë publike hapësirat publike”, ku si folëse ishte e ftuar Liri Kuçi nga Organizata Politike e Tiranës.

Pas shumë shtjellimeve mbi publiken, hapësirat publike dhe kulturën në përgjithësi, u theksua se privatizimi i egër në të dyja anët e kufirit e ka ngulfatur idenë e publikes. Po ashtu, ndërhyrjet me beton në hapësira publike që e shkatërrojnë gjelbërimin dhe kujtesën historike u vlerësuan si cenuese të jetesës publike, por edhe si fundamentalisht tjetërsuese.

Komunat dhe qeveritë duhet të jenë më të hapura ndaj publikut kur ndërmarrin investime publike. Me fjalët e tregimtarit italian, Italo Calvino, u konstatua se qyteti per se nuk e përmban historinë e vet, por e rrëfen atë. Mbrojtësit më të mirë të publikes, hapësirave publike, janë vet publiku, respektivisht qytetarët dhe komuniteti, ndërsa kalitja e tehut kritik për ndryshime shoqërore mbetet tek qendrat dhe hapësirat shoqërore. 

Kjo seri e diskutimeve është mundësuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian, në kuadër të projektit “Hapësirat Kulturore të Kosovës” të implementuar nga Anibar, Lumbardhi, 7Arte dhe Pogon. Përmbajtja e këtyre diskutimeve është në përgjegjësi të Anibar dhe jodomosdoshmërisht reflekton pikëpamjet e Bashkimit Europian.


Të ngjashme