Autoritetet e Komunës së Prizrenit dhe diplomatët nga Ambasada e Hungarisë në Kosovë, të martën, janë dakorduar që të punojnë drejt intensifikimit të lidhjeve turistike, ashtu që më shumë vizitorë hungarezë ta vizitojnë e qëndrojnë në qytetin e Shatërvanit.
Sipas tyre, marrëdhëniet politike ndërmjet dy vendeve janë miqësore dhe se kjo ofron një bazë të mirë për bashkëpunim në fushën e turizmit dhe në ekonomi në përgjithësi.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka bërë të ditur se ka takuar ambasadorin e Hungarisë në Kosovë dhe atasheun për marrëdhënie ekonomike, që kanë qenë të shoqëruar nga deputetja e Kuvendit të Kosovës, Emilija Redzepi, me ç’rast janë dakorduar për rritjen e bashkëpunimit me shtetin hungarez.
“Hungaria është aleat i Kosovës dhe ka luajtur një rol pozitiv në zhvillimet në Kosovë, që prej luftës e deri tashti. Tashti është faza e bashkëpunimit ekonomik. Jemi dakorduar që meqë ka fluturime të drejtpërdrejta Prishtinë-Budapest që të mundohemi të punojmë në intensifikimin e lidhjeve turistike, të agjencive turistike kosovare me ato të Hungarisë, sidomos me Drejtorinë e Turizmit në Prizren ashtu që të kemi sa më shumë turistë që vijnë nga Hungaria në Prizren”, ka thënë Haskuka.
Sipas tij, në ditët e ardhshme do të konkretizohen idetë në këtë drejtim. Ai ka shtuar se i ka njoftuar diplomatët hungarezë edhe për investimet e Komunës për zhvillimin ekonomik. “Këtu mendoj se në fazën e ardhshme do të kemi një bashkëpunim shumë më të mirë me Ambasadën e Hungarisë, për t’i treguar mundësitë e investimeve në Komunën e Prizrenit”, ka deklaruar Haskuka.
Nga ana tjetër ambasadori i Hungarisë në Prishtinë, Laszlo Markusz, ka konfirmuar diskutimet me autoritetet e Prizrenit për rritjen e bashkëpunimit në fushën e turizmit, për shtimin e numrit të turistëve hungarezë në Prizren.
“Fluturimet direkte Budapest-Prishtinë na kanë sjellë mundësi të reja dhe mendoj se me promovim dhe me bashkëpunim sistematik mund të rrisim numrin e turistëve hungarezë në Kosovë dhe veçanërisht në këtë qytet të bukur, pra në Prizren”, ka thënë Markusz.
Sipas tij, suksesi i bashkëpunimit në turizëm do të sjellë edhe më shumë mundësi.
“Prezantimi i Prizrenit në mediat hungareze si një vend i mirë do të hapë rrugën që të vijnë edhe investitorët hungarezë këtu. Kemi bazë të mirë për bashkëpunim. Marrëdhëniet politike ndërmjet vendeve tona gjithmonë kanë qenë të përzemërta”, është shprehur ambasadori hungarez.
Ai ka përkujtuar se si rezultat i bashkëpunimit në fushën e arsimit, Hungaria ofron 50 bursa në vit për studentët nga Kosova.
“Tashti e kemi edhe brezin e parë të studentëve kosovarë që kanë diplomuar dhe kthehen në Kosovë me tituj akademikë. Mendoj se secili prej tyre do të jetë një ambasador shtesë që i lidh shtetet tona”, ka përfunduar ai.