Komuna e Prizrenit ka filluar me rezultatin e testeve të shpejta antigjen për Covid-19.
Nga Komuna e Prizrenit është thënë se për herë të parë në nivel të Republikës së Kosovës është filluar me realizimin e testeve të shpejta antigjen për Covid-19 në shëndetësinë primare.
“Qytetarët e komunës së Prizrenit tanimë do të mund t’i kryejnë këto teste në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Bajram Curr, duke e marrë rezultatin me 98,8% saktësi brenda 10 minutave. Po ashtu, një ekip tjetër lëvizës përmes “kujdesit shtëpiak” të ofruar nga Komuna, do t’i realizojë këto teste tek shtëpitë e pacientëve që nuk mund të shkojnë në qendrat e lartëcekura të mjekësisë familjare”, thuhet nga Komuna e Prizrenit.
Me këtë rast, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, deklaroi se ndjehet i lumtur që përveç këtyre testeve, shëndetësia primare e Komunës së Prizrenit, tanimë ka kompletuar pakon e shërbimeve për Covid-19, duke i realizuar: testet D-Dimer, rëntgenin e mushkërive, analizat tjera të nevojshme dhe testet serologjike.
Po ashtu, kryetari Haskuka, deklaroi se shpreson që Kosova të mos hyjë në valën e tretë të pandemisë, por nëse ndodh një gjë e tillë, Komuna e Prizrenit tani është gati për t’u përballur me të.