Noah Okafor ka marrë një vendim të bujshëm duke njoftuar tërheqjen nga Kombëtarja e Zvicrës, për sa kohë Murat Yakin vazhdon të jetë trajner i përfaqësueses.
Sulmuesi zviceran ka bërë të ditur se nuk do të jetë në dispozicion të Zvicrës nën drejtimin e Yakin, duke theksuar se mes tyre mungon baza e nevojshme e respektit dhe besimit.
“Ky vendim është jashtëzakonisht i vështirë për mua. Nuk ka pasur kurrë diçka më të madhe për mua sesa të luaja për Zvicrën, por në rrethanat aktuale thjesht nuk mundem më”, deklaroi Okafor.
“Unë nuk kërkoj trajtim special. Kërkoj vetëm respekt dhe besim të ndërsjellë, por nuk e shoh atë bazë për vitet e ardhshme”, shtoi ai.
Kështu, e ardhmja e Okaforit me Kombëtaren zvicerane mbetet e lidhur drejtpërdrejt me vazhdimin ose jo të Yakin në postin e trajnerit.