E hëna është mjaft e rëndësishme për Italinë, që do të përballet me Irlandën e Veriut në Belfast, me misionin e vetëm fitoren me rezultat sa më të thellë, në mënyrë që të sigurojë një biletë direkte për në Katar 2022 dhe të mos rrezikojë një situatë të njëjtë me atë para Rusi 2018.
Megjithatë përtej situatës së komplikuar në renditje, trajneri i kampionëve të Evropës po përballet edhe me dëmtime të shumta, teksa së fundi nga grupi janë larguar tre futbollistë të tjerë, të cilët nuk do të udhëtojnë drejt Belfastit me ekipin.
Kështu mbrojtësi i Interit, Alessandro Bastoni nuk ia ka dalë të rikuperohet dhe është rikthyer në Milano, ndërsa në vend të tij Mancini ka thirrur menjëherë qendërmbrojtësin e Sassuolos, Gianmarco Ferrarri.
Probleme në pulpë edhe për mbrojtësin e Milanin, Davide Calabria, që gjithashtu ka lënë grumbullimin dhe në vend të tij është grumbulluar anësori i Atalandës, Davide Zappacosta, ndërsa Mancini nuk do të ketë në dispozicion as mbrojtësin e Fiorentinës, Christian Biraghi, i cili është larguar për arsye personale.
Këto mungesa u shtohen atyre të emrave si Chiellini, Zaniolo, Pellegrini, etj., të cilët nuk kanë qenë në grumbullimin e përfaqësueses italiane këtë muaj, pikërisht për shkak të dëmtimit.
E gjithë kjo situatë komplikon jo pak punën e Mancinit, pasi Italia e tij duhet të fitojë me rezultat të thellë, për të pasur gjithçka vetë në dorë dhe për të mos qenë e varur nga ajo që ndodh në sfidën Zvicër-Bullgari.