Probleme në furnizim me tekste shkollore janë raportuar edhe të mërkurën në Komisionin Hetimor për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të Arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024, raporton Ekonomia Online.
Krahas Komunës së Prizrenit e Ferizajt, komuna që ka pasur problem në furnizim me tekste shkollore është edhe Gjakova. Për këtë, drejtoresha e Arsimit në Komunën e Gjakovës, ka thënë se gjatë subvencionit dhe furnizimit me tekste shkollore për vitin shkollorë 23/24 kanë hasur probleme të shumta.
Ajo ka bërë me dije se problemi më i madh ishte se nga 6-të libraritë që janë në këtë komunë vetëm dy prej tyre e kanë bërë furnizimin me tekste shkollore por që edhe ato nuk i kanë pasur të gjitha tekstet e shtëpive botuese.
“Do të kisha jap një kronologji të vitit të kaluar të fillimit shkollorë 2023-2024, në formën se si e kemi parë ne si drejtori e arsimit dhe si ka rrjedh subvencionimin e librave. Fillimisht se Komuna e Gjakovës në vitin 2023-2024, në nivelin një deri në nëntë i ka pasur të regjistruar 10 mijë 50 nxënës. Me datën 09.5.2023 ne jemi informuar nga MAShT-i lidhur me fillimin e procedurave për tekstet shkollore. Me datën 26.05.2023 ka ardhur një informatë për zbatimin e udhëzimit administrativë që ka të bëjë me pajisjen e teksteve shkollore, përdorimi dhe ruajtja e tyre. Na është kërkuar që të njoftohen të gjitha shkollat për mënyrën se si do të jetë subvencionimi në atë vit. Na është kërkuar që të njoftojmë që nga niveli gjashtë deri në nëntë që tekstet shkollore do të përdoren nga viti paraprakë. Kurse niveli një deri në pestë do të sjellën tekste të reja shkollore”, u shpreh ajo.
Shkaku i këtij problemi sipas drejtoreshën, shumica e qytetarëve është dashur të furnizohen nga komuna të tjera.
Ndërsa si problem tjetër është raportuar edhe aplikimi për subvencionim në E-Kosova ku shumica e prindërve kanë hasur në probleme te gjirollogaritë. Derisa ka theksuar se ka pasur prindër që nuk i kanë përdorur mjetet fare për furnizim me libra për fëmijët e tyre fare.
“Për shkak të disa pengesave na është shtyrë afati deri më 19 korrik në dorëzimin e katalogut të parë dhe përzgjedhjen e teksteve shkollore. Pas dorëzimit të katalogut të parë nga MAShT-i na vjen një informatë që këtë vit mjetet për blerjen e teksteve shkollore dhe materiale mësimore do të transferohen në llogarinë bankare të gjithëve. Si dhe në atë informatë e kemi pasur edhe mënyrën se si duhet të regjistrohen prindërit. Afati i fundit për të aplikuar për subvencionim ka qenë fundi i muajit shtator 2023. Në javën e parë të shtatorit ne me të gjitha 48 shkollat e Komunës së Gjakovës, ne kemi pasur vetëm 20 për qind të nxënësve të pajisur me tekste shkollore dhe ai nivel ka qenë nga familjet që kanë pasur kushte më të mira ekonomike, sepse të tjerët nuk kanë arritur që të blejnë të gjitha”, deklaroi ajo.
Deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati ka pyetur Baçin se a e ka lajmëruar MAShT-i për këto probleme.
Baçi, është përgjigjur se DKA në Gjakovë ka biseduar me MAShT-in për këto probleme dhe megjithatë kanë ndihmuar edhe për komunitetet Rom, Ashkali, Egjiptianë.
Ndërsa, deputetja e LVV-së, Arjeta Fejza ka pyetur se pse nuk është lajmëruar MAShT-i se sa nxënës nuk kanë libra.
Baçi, ka shtuar se statistikat kanë dalur para dy dite të cilat tregojnë që ka pasur edhe nxënës pa subvencionim.