Marigona Fazliu nga Prishtina, nënë e dy fëmijëve, të cilët vijojnë mësimin në shkollë fillore, thotë se fëmijët e saj nuk po mund ta ndjekin mësimin online sepse kanë mungesë të pajisjeve teknologjike.
Shkollat në Kosovë janë mbyllur që nga data 12 mars, pas masave që kishte marrë qeveria për parandalimin e përhapjes së virusit të ri COVID-19.
Dhjetë ditë më vonë, Ministria e Arsimit vendosi që të mbahet mësimi në distancë.
“Ne nuk kemi pasur kompjuter. Vëllai im ma ka sjell një kompjuter, por ai është shumë i vjetër. Qe disa herë të dy fëmijët nuk po mund të kyçen, deri sa po hapet kompjuteri, po i duhet kohë shumë. Mandej unë i kam dy fëmijë dhe nganjëherë po kanë mësim që të dy në të njëjtën kohë me mësuesen në (aplikacionin) Zoom. I kam treguar mësueseve për hallin që kam, por nuk më kanë kthyer përgjigje”, thotë Fazliu.
10 % e nxënësve nuk kanë qasje në mësimin online
Fillimisht mësimi në distancë ka filluar përmes kanalit televiziv publik RTK për nxënësit e shkollave fillore. Tashmë po thuajse të gjithë mësuesit mbajnë mësim online edhe në nivele tjera të shkollimit.
Këto mësime mbahen përmes programeve të ndryshme që mund të shkarkohen në kompjuter ose telefona të mençur.
Video: Orët mësimore larg nxënësve
Aplikacioni më i përdorshëm mbetet Zoom ku më shumë se dy persona mund të komunikojnë përmes audios dhe videos. Ky aplikacion është duke u përdorur në shumë vende të botës për mësime online përkundër disa paralajmërimeve se mund të mos jetë komunikim i sigurt.
Në Kosovë janë gjithsej 345.540 nxënës. Sipas Lulzim Krasniqit, zyrtar në Ministrinë e Arsimit, Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit, vijueshmëria është në nivel të lartë, mbi 90%.
Krasniqi thotë se megjithatë sfidë mund të konsiderohet mungesa e pajisjeve teknologjike si dhe qasja në internet për shumë nxënës.
“Kemi kërkuar nga të gjithë ata që munden, të kontribuojnë me pajisje teknologjike për familjet në nevojë. Sipas informacioneve që kemi, disa komuna veçse janë duke punuar për të mbështetur familjet të cilat kanë mungesa të pajisjeve dhe qasjes në internet. Rezultatet e këtyre përpjekjeve janë inkurajuese deri tani, sepse komunat dhe donatorët janë duke u mobilizuar në ofrimin e pajisjeve për familjet në nevojë’’, tha Krasniqi.
Komuna e Prishtinës kërkon ndihma për nxënësit
Vetëm ne Komunën e Prishtinës janë gjithsej 28,785 nxënës në shkolla fillore dhe prej tyre 1,073 prej tyre nuk janë të përfshirë në mësimin në distancë.
Komuna e Prishtinës deri tash ka identifikuar 500 familje të cilat nuk kanë pasur asnjë pajisje teknologjike, që të mund të përcjellin mësimin në distancë.
Këto të dhëna i tha për Radion Evropa e Lirë, Miranda Mullafazliu, zëdhënëse në Komunën e Prishtinës ku sipas saj tashmë Komuna e Prishtinës ka marrë iniciativë, që të mbledhë pajisje elektronike, qofshin si donacion, apo edhe ato që dikush nuk i përdorë, dhe tu dhurohen fëmijëve në nevojë.
“Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka marre iniciativë dhe ka bërë thirrje që kushdo që ka mundësi të dhurojë pajisje elektronike të cilat nuk i përdorin. Thirrjes i janë përgjigjur shumë qytetarë dhe kompani duke dhuruar telefona, kompjuterë, tableta, dhe këto pajisje do t’u dorëzohen familjeve e fëmijëve, në mënyrë që të gjithë fëmijët të kenë qasje të barabartë për të vijuar mësimin’’, tha ajo.
Nuk ka mësim nga distanca për fëmijët me nevoja të veçanta
Ndërkaq nga Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve, KOMF, Klevis Vajçari i tha Radios Evropa e Lirë se në bazë të dhënave në teren, del se sfida më e madhe e mësimit në distancë mbeten fëmijët me nevoja të veçanta. Sipas saj, për ta nuk ka program special, pasi që Ministria e Arsimit në Kosovë nuk e ka paraparë një plan-program të tillë.
“Për fëmijët me aftësi të kufizuara nuk ka plan-program të dedikuar për ta, ndonëse janë pjesë e sistemit arsimor. Kjo është ajo që ne kemi ngritur si shqetësim.
Ndërkohë, kemi dhënë rekomandime, që fëmijët që nuk kanë qasje në internet, Qeveria e Kosovës t’ua mundësojë një gjë të tillë, qoftë duke ua lehtësuar çështjen e pagesës për internetin, meqë edhe ajo ka kosto dhe mund të jetë arsyeja e mosqasjes së fëmijëve në mësim’’, tha ajo.
Sipas njohësve të arsimit, thonë se sa efektiv është mësimi në distancë, do shihet atëherë kur do të kenë kontakt të drejtpërdrejt mësimdhënësit me nxënës.