Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, me të gjitha votat për, ka miratuar projekt-rezolutën lidhur me Raportin e Punës së Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2022 si dhe ka votuar raportin me rekomandime për Projektligjin për Këshillin e Sigurisë së Kosovës, të cilat janë proceduar për seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Komisionit, Bekë Berisha, sa i përket raportit të Punës së Agjencisë për Informim dhe Privatësi, ka thënë se ky raport pas votimit dërgohet në seancë për shqyrtim.
“Si Komision e kemi shqyrtuar si raport por për procedim janë pritur edhe rekomandimet e komisionit për Buxhet dhe komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike. Tani janë plotësuar kushte për votim, nëse jeni dakord votojmë për dërgimin e saj në seancë plenare”, ka thënë ai.
Sa i përket Projektligjit për Këshillin e Sigurisë së Kosovës, deputeti i PDK-së Rashit Qalaj, propozoi që amendamentet e propozuara nga ai të largohen nga ky projektligj.
E deputeti i LDK, Anton Quni, shprehi shqetësimin për kushtet e punës që kanë personeli i Këshilli i Sigurisë së Kosovës, për të cilët tha se kjo çështje duhet të ngritët në institucionet qeveritare për të ju siguruar një ambient të duhur të punës këtyre zyrtarëve.
“Komentet e mia kanë të bëjnë me kushtet e punës për Këshillin e Sigurisë së Kosovës. Për gjithë ata që kanë pasur mundësi me vizitu ambientet e punës keni mundur ta konstatoni se personeli i këshillit punojnë në një ambient me kushte shumë të limituara. Janë në një ambient të mbyllur pa ajrosje, pa ndriçim të mirë natyror e te tjera. Detyrat e rëndomta që ata i kryejnë i kryejnë si me qenë në situata të jashtëzakonshme. Ai ambient është i dedikuar për aktivitet të përkohshme, për një afat të shkurtër. Do të duhej ne si anëtarë të Komisionit ta ngrisim këtë çështje tek autoritet e qeverisë që personeli të kësaj organizate i sigurohet një ambient ashtu siç i sigurohet të gjithë zyrtarëve të tjerë në gjitha institucionet”, ka thënë ai.
Me konstatimin e deputetit Quni u pajtua edhe kryetari i Komisionit, Bekë Berisha, i cili tha se kjo çështje duhet që të trajtohet.
Në fund me të gjitha votat për, as një kundër dhe as një abstenim, anëtaret e Komisionit e votuan këtë projektligj.