Proces i stërzgjatur dhe me mungesë të transparencës, megjithatë jam optimist se do të rikonfirmohet pastërtia e luftës së UÇK-së

Prishtinë | 04 Nën 2024 | 15:38 | Nga Ardian Bajraktari

Ecuria e procesit gjyqësor në Dhomat e Specializuara ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, po ecën me ritëm mjaft të ngadalshëm. Procesi po shoqërohet me mungesë të theksuar të transparencës, si parim bazë i procedurës.

Paraburgimi dhe veçmas vazhdimi i tij bëhet thuajse “shabllon” nga ana e Dhomave të Specializuara. Përmes vendimeve për vazhdimin e paraburgimit janë duke u shkelur standardet ndërkombëtare.

Vlen të theksohet se sa i përket paraburgimit, sipas praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, janë tri kritere themelore që duhet vlerësuar, nëse privimi i lirisë e veçmas paraburgimi si masa më e ashpër për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurë është i ligjshëm dhe jo arbitrar, këto kritere janë: 

– së pari, duhet të ekzistojë “dyshimi i bazuar” që një person i privuar nga liria ka kryer një vepër penale,

– së dyti, qëllimi i privimit të lirisë duhet të jetë në funksion të zbatimit të procedurës penale dhe për më tepër, duhet të jetë proporcional, në kuptimin që duhet të jetë i nevojshëm për të siguruar paraqitjen e personit para autoriteteve kompetente përkatëse, dhe

– së treti, privimi i lirisë apo caktimi i paraburgimit duhet të jetë bërë duke ndjekur procedurën e përcaktuar me ligj.

Stërzgjatja e procesit tashmë është pranuar nga vet Gjykata speciale, ku këtë e ka theksuar në njërën nga vendimet e sajë ku theksohet se: Paneli vëren, megjithatë, se Thaçi (Veseli) janë tashmë në paraburgim për një periudhë të konsiderueshme kohe dhe se gjyqi në këtë rast është i gjatë, po ashtu, ka theksuar se palët, të jenë veçanërisht të kujdesshëm për të siguruar që gjyqi të zhvillohet sa më shpejt që të jetë e mundur.

Reduktimi i listës së dëshmitarëve shkon në funksion të shkurtimit të procedurës e cila tashmë është e konfirmuar se është e stërzgjatur.

Ndonëse është detyrë e Prokurorit që të përkujdeset që krahas provave fajësuese të sigurojë edhe prova shfajësuese, pala mbrojtëse duhet të analizojë me kujdes këto dëshmi për të parë në rast se janë relevante dhe më tepër nëse shkojnë në favor të të akuzuarve në këtë proces gjyqësor.

Jam optimist se fundi i procesit do të rezultojë me vendim të ri konfirmimit për të satën herë të pastërtisë së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Të ngjashme