Delegacioni shtetëror për dialog nuk ka arritur ta shtrijë ndikimin e vet as brenda Kosovës. Dokumentet të cilat potencialisht mund t’i ketë diskutuar deri më tani presidenti Hashim Thaçi, që kishte marrë primatin në negociata para dy vjetësh, nuk janë vënë ende në dispozicion të Ekipit.
Ndërkohë që Delegacioni shtetëror zhvilloi takimin e parë konsultues në Bruksel, u raportua se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tashmë është duke përgatitur ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes mes Thaçit e Vuçiqit, shkruan Koha Ditore.
Këtij zhvillimi i parapriu një takim i paraportuar mes presidentit Thaçi dhe ambasadorit amerikan në Berlin, Richard Grenell, njëri nga më të besuarit e Trumpit. Presidenca nuk ka zbuluar detajet e atij takimi, ndërkaq Delegacioni shtetëror sikurse dhe Qeveria janë shfaqur të painformuar.
Njohës të rrethanave kanë thënë se implikimi i SHBA-së dhe i Rusisë në arritjen e marrëveshjes finale është evidente për shkak të procesit të ndërlikuar të dialogut.
“Së pari, duke pasur parasysh ndërlikueshmërinë e procesit të arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë, kjo çështje tashmë është zhvendosur si temë në suaza të diplomacisë në mes të SHBA-së dhe Rusisë”, ka thënë politologu Krenar Shala. Por, sipas tij, ky fakt jo domosdoshmërisht nënkupton që ekipet negociatore të Kosovës dhe Serbisë nuk kanë ndikim në këtë proces.