Në shkollën fillore “Faik Konica” në Prishtinë mësimi ka filluar në mënyrë të rregullt. Drejtoresha e kësaj shkolle Jehona Oruqi, për Ekonomia Online ka treguar për mënyrë e mësimit në këtë shkollë.
“Po sot ka filluar gjysmëvjetori i dytë dhe të gjitha përgatitjet janë bërë gjatë pushimit dimëror dhe shkolla është dezinfektuar. Task-forcat e shkollës kanë analizuar edhe skenarët me të cilat do të vazhdojë edhe kjo periudhë”.
“Gjatë kësaj periudhe shkolla është me ciklin e lartë është në skenarin B dhe cikli i ulët në skenarin A. Skenari B në periudhën e parë është realizuar ku një ditë grupi A ka qëndruar në shkollë dhe grupi B ka qenë online dhe pastaj janë ndërruar”.
“Ne kemi marr vendim që të vazhdohet me skenarin B ku një ditë grupi A është në shkollë pastaj ditën tjetër është online”.
Ajo ka treguar që edhe masat për parandalim të përhapjes së Covid-19 janë duke u respektuar nga nxënësit dhe mësimdhënësit.
Më shumë se 345 mijë nxënës të nivelit parauniversitar janë rikthyer në bankat shkollore.
Ky gjysmëvjetor, ka filluar sipas skenarit A dhe varësisht nga gjendja me pandemi mund të kalojë në skenarin B, mësim i kombinuar ose mësim online, si pjesë e skenarit të tretë C.