Lëvizja FOL ka mbajtur diskutim me aktorët kryesorë të përfshirë në projektin e autostradës Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë, pas prezantimit të të gjeturave nga monitorimi i kontratës dhe procesit të shpronësimit për ndërtimin e kësaj autostrade.
Mexhide Demolli-Nimani, drejtoreshë e Lëvizjes FOL, tha se kjo analizë e procesit është bërë për shkak të mungesës së transparencës dhe llogaridhënies nga Ministria e Infrastrukturës, raporton Ekonomia Online.
“Mungesa e transparencës dhe llogaridhënies e Ministrisë së Infrastrukturës në të gjitha fazat e këtij procesi ka bërë që FOL të bëjë një analizë të gjithë procesit ku ka kaluar ky tender”.
Elbasan Racaj nga Lëvizja FOL prezantoi të gjeturat nga monitorimi i këtij procesi.
“Ne e kemi kërkuar planin e prokurimit nga Ministria e Infrastrukturës. Zyrtari në zyrën e Prokurimit arsyetohet se në atë kohë ai nuk ka qenë i emëruar, prandaj nuk e di se ku janë planet e prokurimit”.
“FOL ka gjetur se procesverbali i hapjes dhe ai i prokurimit nuk janë të njëjtë. Komisioni vlerësues gjatë vlerësimit të tenderit ka dhënë detaje për secilën dosje. Komisioni i vlerësimit nga 27 operatorë ekonomikë ka shpallur 15 prej tyre të papërgjegjshëm, kurse 3 ishin të eliminuara”.
“Në nenin 1 të Vendimit Preliminar si zona kadastrale të prekura nga procesi i shpronësimit paraqiten: Komuna e Lipjanit me zonat Banullë, Sllovi dhe Smallushë; Komuna e Graçanicës me zonën Dobratin; Komuna e Novobërdës – Kufcë e Epërme, Koretishë, Parallovë; Komuna e Gjilanit – Bresalc, Ponesh, Zhegoc”.
“Në nenin 1 të vendimit preliminar si zona kadastrale të prekura nga procesi i shpronsimit paraqiten: Komuna e Lipjanit me zonat Banullë, Sllovi dhe Smallushë; Komuna e Graçanicës me zonën Dobratin; Komuna e Novobërdës – Kufcë e Epërme, Koretishë, Parallovë; Komuna e Gjilanit – Bresalc, Ponesh, Zhegoc”.
“Pra, në vendimin përfundimtar nuk janë të përfshira zonat kadastrale të Dobratinit të Komunës së Graçanicës dhe zonat kadastrale Kufcë e Epërme dhe Koretishë të Komunës së Novobërdës, ashtu siç ka qenë e përshkruar në vendimin preliminar”.
Sipas konkluzioneve të analizës, procesi rreth ndërtimit të autostradës Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë është përcjellë me mungesë të theksuar të transparencës, raporton EO.
“I gjithë procesi rreth ndërtimit të kësaj autostrade është përcjellë me mungesë të theksuar të transparencës. Ofrimi i pjesshëm i dokumenteve të kërkuara nga MI në kuadër të ndërtimit të autostradës, shton dyshimet për keqpërdorime të mundshme gjatë realizimit të kësaj kontrate, sidomos mosqasja në Planin e Menaxhimit të Kontratës”.
Sadudin Berisha, drejtor i Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Komunën e Gjilanit tha se shpreson që të mos ketë vonesa të realizimit të projektit.
“Komuna e Gjilanit ka qenë në gatishmëri në funksion të realizimit të këtij projektit. Zona ku shtrihet projekti kryesisht kanë qenë te boshatisura. Ne nuk kemi përcjellje të informacionit të drejtorisë sonë. Shpresoj se ne do të bëjmë maksimumin që asnjë ditë të mos ketë vonesë të realizimit të projektit”.
Sefer Tasholli drejtor i DGjK-së në Komunën e Lipjanit, tregoi për problemet e hasura gjatë shpronësimit për ndërtim të autostradës.
“Ne kemi pasë shumë probleme me autostradën që është në përfundim, sepse na kanë mbetë shumë rrugë të mbyllura. Ka shumë toka që kanë mbetë keq dhe si rezultatet Ministria e Infrastrukturës për herë të dytë ka bërë shpronësimin e dytë në komunën tonë, për shkak të problemeve që janë të lidhura me problemin e fermerëve”.