Vendosja e taksës prej 100 për qind në importin e produkteve të Serbisë dhe të Bosnjë e Hercegovinës nuk ka ndikuar pothuajse fare në rritjen e eksportit të patates dhe të produkteve të patates në tregun evropian, thonë prodhuesit e patates të komunës së Vushtrrisë.
Patatja e Vushtrrisë është njëri prej produkteve të rralla kosovare që ka pushtuar tregun evropian, por çmimi i patates në tregun kosovar gjithmonë ka qenë “problem” për prodhuesit, sidomos për ata të komunës së Vushtrrisë, të njohur në gjithë Kosovën për kultivimin e kësaj kulture.
Viti 2018 ka qenë i bereqetshëm për prodhuesit e patates së Vushtrrisë, ndonëse jo në masën sa kanë prodhuar në dy vjetët e mëparshme, kur nga arat e Vushtrrisë ishin nxjerrë mbi 30 tonë për një hektar.
Edhe thatësia që ka mbretëruar ka ndikuar që të ketë nivel më të ulët të prodhimit, por njëkohësisht ka bërë që çmimi i patates të rritet.
Kompania “Pestova”, e cila përpunon pataten dhe produktet e saja, ka pushtuar tregun evropian, ndërsa eksporti i produkteve të patates pritet të rritet, ka mbledhur pothuajse prodhimin e patates të të gjithë kultivuesve të Vushtrrisë.
Ndonëse të pakënaqur me çmimin, këtë vit situata ka ndryshuar sa i përket çmimit të patates, pasi që çmimi në treg është rritur.