Në Shqipëri gratë mesatarisht paguhen 6.3% më pak sesa burrat, por ka edhe disa sektorë, ku femrat rezultojnë më të paguara se meshkujt.
INSTAT ka publikuar tabelën e hendekut gjinor të pagës mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë sipas aktiviteteve ekonomike.
Sektori ku gratë kanë “ekskluzivitetin” e pagesës së mirë, në raport me meshkujt është ai i “artit, argëtimit dhe zbavitjes”, ku femrat paguhen gati 30% më shumë sesa meshkujt.
“Aktivitetet Administrative dhe Shërbimet mbështetëse” janë sektori i dytë ku femrat kanë prioritet në pagesa, me 13% më shumë se meshkujt.
Edhe në kompanitë energjetike, gratë janë më të paguara.
Ndërtimi, organizatat ndërkombëtare, shërbimi ushqimor, janë disa sektorë ku femrat paguhen po njësoj me meshkujt.
Nga 22 sektorë, që raporton INSTAT, vetëm në 8 prej tyre, gratë marrin paga më të larta.
Meshkujt janë më të mirëpaguar në sektorin e pasurive të patundshme, me 25% më shumë dhe në atë të industrisë përpunuese, me 23.3% diferencë.
Edhe doktorët meshkuj rezultojnë më të preferuar për sa i përket pagesës.
Gjatë vitit 2015, numri i grave, pronare të bizneseve të reja, u shumëfishua ndjeshëm, në krahasim me dy vitet paraardhëse. Sipas të dhënave të QKB-së, më 2015 gratë ishin 100% pronare të mbi 13,000 bizneseve të reja nga rreth 1,520 që ishte ky numër në vitin 2014.
Shifrat janë optimiste dhe tregojnë se gjithnjë e më shumë, femrat shqiptare po investojnë në rritjen e pavarësisë së tyre ekonomike.
Në sektorin publik, gratë përbëjnë përqindjen më të lartë të punësimit në pozicione të tilla si specialiste ose punonjëse të zakonshme, të cilat paguhen shumë më pak në krahasim me pozicione si ligjvënës, zyrtarë të lartë dhe drejtorë, politikëbërës etj., të cilat mbahen më shpesh nga meshkujt.