Profesoresha e Fakultetit të Mjekësisë, njëherësh deputete e AAK-së, Albena Reshitaj i ka dal në mbështetje studentëve që po protestojnë kundër ngacmimeve seksuale në Universitetin e Prishtinës, raporton Ekonomia Online.
Ajo duke hyrë në Këshillin e Etikës së UP-së, në rektoratin e Universitetit të Prishtinës, tha se ka përcjellë me shqetësim raportimin e 27 studenteve të UP-së për ngacmim seksual nga një profesor.
“Kam ardhur sot të mbështes të gjitha viktimat e ngacmimit seksual sidomos në Universitetin e Prishtinës, të gjitha viktimat dhe shantazhimet që ndodhin në këtë tempull të dijes dhe për të luftuar së bashku me të gjithë ju, profesorët, profesoreshat dhe studentët e UP-së këto fenomene, të cilat në të kaluarën janë mbuluar dhe po shihen rezultatet. Këto fenomene nuk duhet mbuluar dhe heshtur. Heshtja është aprovim i së keqes dhe ata që heshtin janë pjesë e krimit”, tha Reshitaj.
Ajo shtoi se duhet mbështetur guximi i atyre studenteve që kanë raportuar ngacmimet seksuale, teksa i bëri thirrje Këshillit të Etikës të ndalojë degradimin e personalitetit të studentëve, pasi UP duhet t’i mbrojë studentët.