Profesoresha e Fakultetit të Mjekësisë, Hatixhe Latifi-Pupovci, ka bërë një sqarim në lidhje me shprehjet “doza përforcuese” dhe “doza shtesë” (doza e tretë) dhe kush dhe kur duhet marrë këto doza të vaksinës kundër-Covidit
Latifi-Pupovci shkruan se doza përforcuese e vaksinës kundër-COVID-19 jepet te personat që janë vaksinuar me dy doza tjera të vaksinës.
“Doza përforcuese (booster dose) e vaksinës kundër Covid-19 jepet te personat të cilët kanë përfunduar dy vaksinat. Kjo dozë jepet pas një perudhe kur mendohet se ka rënë imuniteti ndaj virusit, pas 6 muajsh”, ka shkruar Latifi-Pupovci në Facebook.
Ajo bën të ditur se doza e tretë jepet katër javë pas dozës së dytë.
“Doza shtesë (doza e tretë) jepet 4 javë pas dozës së dytë. Kjo dozë jepet te personat me imunitet të kompromituar (të ulur), me qëllim të stimulimit të imunitetit qysh në fillim të dhënies së vaksinave. Doza perforcuese (e katert) te keta persona jepet pas 4 muajsh”, ka bërë të ditur ajo.
Ajo ka treguar edhe cilët janë pacientët me imunitet të kompromituar.
“Imunitet të kompromituar kanë: Pacientët me terapi kundër kancerit (edhe atij të gjakut); Përdorin kortikosteroide në doza të larta dhe barna tjera të cilat e frenojnë imunitetin; Janë të diagnostikuar me HIV; Jane të diagnostikuar me imunodeficience primare; P.S. Koha pas se cilës duhet te merren këto doza mund te ndryshon, varesisht prej rezultateve te hulumtimeve”, ka shkruar Latifi-Pupovci.
Ajo ka bërë të ditur se doza përforcuese jepet për ta rikthyer imunitetin, ndërkaq doza e tretë jepet për ta vazhduar stimulimin e sistemit imunologjik.
“Pra, doza përforcuese jepet për të rikthy imunitetin e zbehur (ulur) i cili ndodhe pas disa muajve, ndërsa doza shtesë (doza e trete) jepet per të vazhduar stimulimin e sistemit imunologjik sepse personat që kanë imunitet të dobësuar nuk arrijnë të fitojnë mjaftueshëm imunitet me dy doza të vaksinës (çdo herë e kam fjalën për vaksinat Pfizer)”, ka shkruar Latifi-Pupovci.