Profesori i gjen gabim gjuhësor Kurtit në postimin për takimin me Blinken

Prishtinë | 27 Kor 2022 | 14:05 | Nga Ekonomia Online

Profesori i Gjuhës Shqipe, Ilmi Rexhepi, ia ka gjetur një gabim gjuhësor kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, në postimin e këtij të fundit për takimin të cilin e kishte me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

Përmes një postimi në Facebook, faqja “Vërejtje dhe Rregulla Gramatikore” e menaxhuar nga profesor Rexhepi, thuhet se “Kurti e ka gabuar përemrin pronor “ynë”, të cilin e ka shkruar “jonë”.

Postimi i plotë:

Ambasadori jonë apo ambasadori ynë?

Duhet të shkruhej “ambasadori ynë” dhe jo “ambasadori jonë”.

Pse?

Sepse, kur prona është në njëjës dhe e gjinisë femërore, kurse pronari në vetën e parë shumës, atëherë trajta e saktë drejtshkrimore e përemrit pronor është “jonë”:

Vajza jonë, kënga jonë, fjala jonë, e drejta jonë…

Por, kur prona është në njëjës dhe e gjinisë mashkullore, kurse pronari në vetën e parë shumës, atëherë trajta e saktë drejtshkrimore e përemrit pronor është “ynë”:

Flamuri ynë, ministri ynë, vendi ynë, sistemi ynë…

~Ilmi Rexhepi

Të ngjashme