Pas rrëfimit të tij se po linçohet për videot e tij dhe për pasionin që ka për vallëzimin, profesori nga Vushtrria ka marrë përkrahje nga figura publike, aktivistë për të drejtat e njeriut dhe prej shumë të tjerëve.
Rrjetet sociale janë mbushur me postime në përkrahje të profesorit Lulëzim Paci, i cili ka shprehur se pasioni i tij është kërcimi i valleve tradicionale.
Profesori i Biologjisë nga Vushtrria ka rrëfyer sot në KTV se po i përjeton rëndë ofendimet ndaj tij dhe se i ka kërkuar vëllait të distancohet, nëse turpërohet.
Por, ka shumë prej atyre që e përkrahin profesorin në pasionin e tij dhe thonë se ai nuk po bën asnjë faj. Reagimet e mëdha kanë qenë ndaj deputetes së Vetëvendosjes, Fjolla Ujkani, i cili i quajti të pahijshme dhe degjeneruese videot ku profesori kërcen në shtëpinë e tij.
Aktori Fatmir Spahiu, i cili ka audiencë të madhe në “Facebook”, ka shkruar se ai do të hapë një llogari në rrjetin social “TikTok” vetëm që të shikojë videot e profesorit.
“Ky eshte nje problem i shoqerise tone, problem shume i madh bullizimi i te gjith atyre qe kane deshire te shfaqin dicka qe e kane pas pasion e deshire. Mos te harrojme, ky profesor nuk eshte nga ata qe i kemi pa tu ra shuplake naj nxenesi, as ngacmim sexual e tragjedi tjera. Njerit i vallzohet e le te vallezoj ne sallonin e tij”, ka shkruar Spahiu.
Opinionisti Imer Mushkolaj thotë se profesori nuk është as kriminel e as hajn, por thjesht një njëri që ka një pasion dhe se ai nuk meriton të bullizohet.
“Ky njeri nuk është kurrfarë krimineli, as hajni. “Krimi” i vetëm që ka bërë është se vallëzon n’shpi t’vet, për qejf t’vetin. Ai nuk meriton të bullizohet, as të përqeshet. Lejeni njerin rahat”, thuhet në postimin e Mushkolajt në Facebook.
Aktivistja për të Drejtat e Njeriut, Neri Ferizi, i ka kërkuar deputetes Ujkani, që t’i kërkojë publikisht falje profesorit.
“Fjolla Ujkani ish dashte me i kerku falje profesorit per lincimin publik pa pike nevoje”
“Pse nuk po reagon per shume ngacmime seksuale qe ndodhin per dite neper shkollat tona? – qe jam shume e sigurt qe ju i dini shume mire edhe emrat profesoreve qe ngacmojne ne shkolla”, ka shkruar Ferizi në Facebook.
Gazetari Vehbi Kajtazi ka dalë në përkrahje të Pacit, duke thënë se gjykimi që po i bëhet atij për pasionin e tij, tregon se cfarë shoqërie jemi.
“Se cfare shoqnie e poshter jemi, kqyrne qasjen ndaj profesorit Lulzim Paci, i cili hobin e tij per vallezim e shfaq ne rrjete sociale. Puna e tij si arsimtar duhet te vleresohet profesionalisht. Deshira per vallezim duhet te admirohet e jo gjykohet. Lul jam me ty. Kerce e kendo!”, ka shkruar Kajtazi.
Ndërsa shkrimtari Azem Deliu ka shkruar se “Kjo shoqëri nuk turpërohet me arsimtarët që e mendojnë dhunën si disiplinim ndaj nxënësve, nuk turpërohet me profesorë injorantë që s’dinë kur kanë lexuar për herë të fundit, por i hidhet në qafë dikujt që ka vallëzuar”.
Opinionisti Ermal Sadiku ka përkrahur profesorin në pasionin e tij.
“Profa, i veshun mire, ne nje dhome te bukur po kcen shqip. Si loqke, pa asnje gje te keqe”, ka shkruar ai në Facebook.