Marrëveshja, e cila përfshin njohjen e Kosovës është një zgjidhje e qartë, ndërsa gjithçka tjetër është e përgjysmuar dhe një konflikt i ngrirë që do jetë barrë për Serbinë për një periudhë më të gjatë kohore, siç ishte edhe më tani, kështu ka thënë për “FoNet”, dramaturgu dhe profesori i Fakultetit të Arteve Dramatike, Nenad Prokiq.
Ai ka vlerësuar se kompromisi është i mundur, nëse politikanët janë të gatshëm për tu dakorduar, por theksoi se kjo nuk ka ndodhur deri tash, sepse Kosova ka shërbyer si alibi për politikanët ambiciozë në Serbi.
“Ne e shohim një gjendje absolutisht ekuivalente në Kosovë”, tha Prokiq, duke potencuar se edhe politikanëve në Prishtinë konflikti me Serbinë u shërben të mbajnë pozicionet në shoqërinë e atjeshme, përcjell Telegrafi.
Sipas tij, ky është një qëndrim jashtëzakonisht i pasinqertë i politikanëve nga të dy palët.
Prokiq vuri në dukje se Serbia e ka humbur luftën në Kosovë dhe ka kritikuar Presidentin e Serbisë se po “mburret me politikën e tij të dështuar” në Kosovë, edhe pse nuk është e qartë se çfarë politike ishte, dhe as nuk dihet me kë e kishte dakorduar politikën e tij.
Ai ka thënë se presidenti i Serbisë po krenohet me humbje, kur ai thotë se politika e tij humbi në Kosovë, duke qenë i bindur se ky mesazh i shërben për qëllime të brendshme dhe ambiciet politike brenda Serbisë.
“Aty Kosova nuk ka rëndësi”, tha Prokiq dhe theksoi se Presidenti i Republikës u ka premtuar qytetarëve se ata të parët kanë për ta kuptuar se çfarë marrëveshje për Kosovën propozon.
“Në vend të kësaj, qytetarët morën vetëm fjalët boshe të Presidentit, se ai sakrifikoi, dhe se disa individë po e kundërshtojnë politikën e tij, edhe pse nuk dihet se çfarë politike është ajo”, tha Prokiq, duke vënë në dukje se “kjo nuk është një politikë serioze”.
Ai përsëriti se shqiptarët dhe serbët duhet të pajtohen mes vete dhe se zgjidhja e problemit nuk mund të pritet nga fuqitë e mëdha, por ato duhet të konsultohen.
“Kurrfarë Brukseli, as kurrfarë konference ndërkombëtare. Derisa shqiptarët dhe serbët nuk do të ulen pranë tryezës, nuk do të ketë marrëveshje”, është i bindur Prokiq, përcjell Telegrafi.
Sipas parashikimit të tij, SHBA-ja, Rusia dhe Bashkimi Evropian (BE) do të shikojnë interesat e tyre në gjithë këtë, dhe nuk do t’u interesojë për qytetarët e Serbisë dhe Kosovës.
“Disa prej nesh, edhe pesëmbëdhjetë vjet më parë, kemi thënë se Serbia duhet të jetë e para që duhet ta njoh Kosovën dhe kjo është zgjidhja e problemit, por ne jemi shpallur tradhtarë”, vuri në dukje Prokiq.
Nëse kjo do të ishte bërë atëherë, ai beson se Serbia sot do të merrej kryesisht me ekonominë, e jo me Vuçiqin dhe Kosovën.
Prokici është kundër referendumit për Kosovën, sepse vlerëson se opinioni publik për 30 vjet është helmuar dhe se referendumi nuk do të ishte i drejtë.
Sipas tij, kjo do të ua mundësonte politikanëve të pandershëm të marrin mandatet e tyre dhe një numër njerëzish të pasurohen duke tregtuar me Kosovën, ndërsa qytetarët e tjerë po vuajnë.
Prokiq vlerëson se Kosova është një simbol i paaftësisë së popullit serb për t’u përballur me realitetin, që po zgjat me shekuj.
Nenad Prokiq është njëri nga themeluesit e LDP (Parisë Liberale) dhe në dy mandate deputet i Kuvendit të Serbisë.