Programi Erasmus+ shënon 35-vjetorin – të diplomuarit kthehen më të përgatitur për tregun e punës

Prishtinë | 14 Tet 2022 | 16:27 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Me rastin e 35-vjetorit të themelimit të Programit Erasmus+, Zyra e Erasmus+ në Kosovë në bashkëpunim me Kolegjin Ndërkombëtar të Biznesit në Mitrovicë (IBC-M), kanë organizuar një ngjarje ku u promovua ky program dhe përfitimet e tij, veçanërisht për studentët e Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Mihone Kerolli-Mustafa, drejtoreshë e IBC-M, tha se investimi në edukim duhet të rritet e sidomos tek të rinjtë.

Sipas saj, programi Erasmus+ ka treguar se studentët që kanë studiuar jashtë vendit, kthehen në Kosovë më të përgatitur për tregun e punës.

“Po ballafaqohemi me një krizë ekonomike, sidomos kur sfidat e kësaj krize reflektohen edhe tek të rinjtë. Duhet të vazhdohet të investohet në njerëz, sidomos tek rinia.Duke ditur se edukimi është baza e çdo zhvillimi, ne jemi të fokusuar që ta çojmë Kosovën përpara në këtë aspekt, por duhet të punojmë të gjithë së bashku”.

“Si IBC-M kemi punuar me shumë universitete ndërkombëtare, por shpresojmë që kjo ngjarje ta rrisë edhe më shumë bashkëpunimin.Programi Erasmus+ ka treguar se studentët që kanë studiuar jashtë, kthehen me mendje më të hapur dhe më të përgatitur për tregun e punës”.

Mimika Dobroshi, nga Zyra e Erasmus+ në Kosovë,tha se “Ditët e Erasmusit festohen zakonisht nga mesi i tetorit, jo vetëm në Kosovë, por në shumë shtete të botës. Programi Erasmus+është programi më i madh i Bashkimit Evropian që synon edukimin e të rinjve, jo vetëm në Evropë, por edhe jashtë saj”.

Ajo vazhdoi me tutje duke theksuar se përderisa në fillim të programit vetëm 11 shtete kanë shkëmbyer studentët, tashmë këto shkëmbime janë zgjeruar në të gjitha anët e botës.

“Edukimi nuk është privilegj, por është një e drejtë njerëzore. Edukimi nuk ka kufi. Sot festojmë 35-vjetorin e programit Erasmus+”.

“Sipas statistikave të Komisionit Evropian, mbi 12 milionë njerëz kanë përfituar nga programi Erasmus.Programi i ndihmon shumë studentët që ta gjejnë veten në tregun e punës pas përfundimit të studimeve. Promovimi i programit është një ndër qëllimet tona kryesore.” përfundoi ajo.

Anne Sophie Houee, drejtuese e ekipit për zhvillim social nga Zyra e BE-së në Kosovë, tha se Programi i Erasmus+ është programi më i suksesshëm i Bashkimit Evropian, prandaj edhe i është dyfishuar buxheti me mbi 14.7 milionë euro.

“Padyshim që programi i Erasmusit është programi më i suksesshëm i Bashkimit Evropian, që tani është bërë edhe global. Ditët e Erasmusit, që festohen jo vetëm në Kosovë, janë shumë të rëndësishme”.

“Nuk janë vetëm studentët që përfitojnë me këtë program. Edhe zyrtarët akademikë dhe universitetet përfitojnë nga programi, me shumë mundësi bashkëpunimi. Duke parë suksesin e programit, buxheti është dyfishuar me mbi 14.7 milionë euro të ndara për periudhën 2021-2027”.

“Ftoj ministrinë e Arsimit dhe universitetet e Kosovës të bashkëpunojnë sa më shumë me zyrën e Erasmusit në Kosovë”.

Drita Kadriu, drejtoreshë e Arsimit në Mitrovicë, tha se Programi Erasmus+ u ka mundësuar studentëve të shohin shumë anët e botës dhe të përfitojnë përvoja nga më të ndryshme..

“Erasmus+ u ka mundësuar studentëve të Kosovës në një far mënyre një liberalizim sepse ua ka dhënë mundësinë të shkojnë dhe të studiojnë jashtë vendit”.

Të ngjashme